Maqedonia në numra. Mbyllet edhe një dekadë e plakjes

Maqedonia

Maqedonia në numra. Mbyllet edhe një dekadë e plakjes

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 22:04
Ilustrim

 Nëse në fillimet e viteve 2000, të rinjtë përbënin gati 20 për qind të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë, dhjetë vjet më vonë – statistikat japin alarmin për reduktimin e kësaj grupmoshe. Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës, vitin e kaluar grupmosha 0 deri në 14 vjeç përbën vetëm 16.5 për qind të numrit të përgjithshëm, ndërkohë që popullsia e moshës së tretë, mbi 65 vjeç është rritur, shkruan gazeta KOHA.

Gjatë dekadës së fundit, trendi negativ i shtimit të popullsisë është ndikuar edhe nga shifrat gjithnjë e më të vogla të kurorëzimeve, por edhe numrave në rritje të divorceve, duke arritur që në total shtimi natyror i popullsisë të arrijë deri në 1436. Gjatë 2007-2017, martesat janë zvogëluar me 11 për qind, ndërsa numri i divorceve është rritur me mbi 40 për qind.

Zonat e banuara kryesisht me shqiptarë janë ato që gjatë kësaj dekade të fundit kanë kontribuuar pozitivisht në reduktimin e minuseve në qytete dhe fshatra me popullsi me shumicë dërrmuese maqedonase. Tetova, Çairi, Strugë, Saraj, por edhe Likova e Studeniçani janë ndër komunat ku shkalla e lindjeve, martesave është gjithnjë në rritje, për dallim nga përqindjet e vogla të vdekjeve, apo divorceve.

“Sa i takon strukturës së moshës, popullsia në Maqedoni vjen duke u plakur gjithnjë e më shumë. Në periudhën mes viteve 2007 deri më 2017 popullsia më e re (mosha 0-14 vjeç) është reduktuar nga 18.5 për qind në 16.5 për qind, ndërsa popullsia në moshë të shtyrë (mbi 65 vjeç) është rritur, nga 11.4 për qind sa ishte dhjetë vjet më parë në rreth 14 për qind. Ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë kanë reflektuar edhe në numrin e personave të vdekur. Kështu shkalla e mortaliteti është rritur duke shkuar deri në 9.8 për qind”, thuhet në raportin më të fundit të ESHS-së të titulluar “Maqedonia në numra”.

Për dallim nga zonat urbane, ku mesatarja vjetore e shtimit të popullsisë nuk e kalon shifrën 415, në fshatra arrin deri në 1021 persona. Pesë rajonet ku popullsia po “vdes” nga viti në vit janë Pellagonia, popullsia e së cilës vetëm gjatë vitit të kaluar numëroi 920 persona më pak, Lindori (minus 488), Juglindori (minus 140), Vardari (minus 90). Rajoni ku shtimi i popullsisë është jo vetëm pozitiv, por edhe më i lartë është Shkupi, me mbi 2000 persona.

Edhe në këtë rajon shtimi ndodh kryesisht nëpër fshatra, ku numri i lindjeve vazhdon të jetë më i lartë. Po ashtu, edhe rajonet që banohen kryesisht nga popullsi shqiptar, si ai i Pollogut, ku ritmet e shtimit të popullsisë mbeten të larta mbi 890 persona në vit. Karakteristike për zonën e Pollogut është se dallimi mes fshatit dhe qytetit është i vogël dhe popullsia shtohet thuajse njësoj.

“Shtimi natyror në të gjithë Maqedoninë ka tendenca negative në pesë rajone. Popullsia në zonat urbane përbën rreth 29 për qind të numrit të përgjithshëm, kundrejt zonave rurale ku popullsia rritet me mbi 72 për qind”, përcjell KOHA analizën e ESHS-së.

Faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht në pakësimin e numrit të popullsisë, e për rrjedhojë edhe plakjen e saj, janë emigrimet kryesisht tek moshat e reja. Saldo e migrimeve është më e madhe në rajonit e Shkupit, ku të paktën zyrtarisht figurojnë mbi 1200 persona që largohen në vit, ndërsa shifrat më të ulëta janë në rajonin Verilindor gjatë vitit të kaluar.

STATISTIKA VITALE GJATË 10 VITEVE

VITI 2007

15.490 kurorëzime (7.6 për qind kurora në 1000 banorë )

1417 divorce (0.6 për qind në 1000 banorë)

22.688 foshnje (11.1 për qind foshnje në 1000 banorë )

19.594 të vdekur (9.6 për qind në 1000 banorë)

VITI 2017

13.781 kurorëzime (6.6 në 1000 banorë)

1994 divorce (1.0 në 1000 banorë)

21.754 foshnje (10.5 për qind foshnje në 1000 banorë)

20.318 të vdekur (9.8 për qind në 1000 banorë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat