Data e kushtëzuar për Maqedoninë, inkurajim para vendimeve të vështira

Maqedonia

Data e kushtëzuar për Maqedoninë, inkurajim para vendimeve të vështira

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 15:41
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Foto nga arkivi

Konkluzionet e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për t’i dhënë datë të kushtëzuar Maqedonisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, për opozitën parqet “katastrofë” për Maqedoninë.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se data e kushtëzuar nuk është asgjë tjetër, pos edhe një dëshpërim nga politikat e dështuar dhe të dëmshme të Qeverisë.

“Kjo do të thotë katastrofë për qytetarët e Maqedonisë, pasi jo vetëm që i ka shitur interesat shtetërore dhe kombëtare, jo vetëm që e ka nënshkruar, por edhe tentoi që të ratifikonte marrëveshjen kapitulluese me Greqinë, por tani po rezulton që Zoran Zaev edhe ato që i ka premtuar për gjoja përfitime, po dalin të jenë të gënjeshtra. Kjo tani që ndodhi me datën e kushtëzuar për nisjen e bisedimeve është edhe një debakël dhe më së paku që duhet të bëjë ekzekutivi është që menjëherë të japë dorëheqje shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov”, u shpreh Mickovski.

Por, ndryshe nga opozita, për drejtuesit e institucioneve konkluzionet e shefave të diplomacisë të BE-së paraqesin motiv shtesë për vazhdimin e rrugës së reformave.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se periudha deri në qershor të vitit 2019 duhet të shfrytëzohet për përmbushjen e kushteve që kërkon Komisioni Evropian, ndërsa u shpreh optimist edhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, në samitin që mbahet më 11-12 korrik.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në një postim në rrjetin social Facebook menjëherë pas shpalljes së lajmit për datën e kushtëzuar për në qershor të vitit 2019, vendimin e vlerësoi si “ditë të madhe” për Maqedoninë dhe vlerësim për punën e bërë nga Qeveria të cilën ai e drejton.

“Bashkimi Evropian dhe liderët e shteteve anëtarëve kanë vlerësuar ndryshimet pozitive në Maqedoni, procesin e reformave dhe dialogun. Maqedonia me vullnet të fuqishëm politik dhe qëllimmirë po i zgjidh kontestet me fqinjtë duke dëshmuar vizionin e qartë për të ardhmen evropiane. Rruga e reformave dhe ndërtimit të vendit, si shtet i rregullave evropiane, është proces i pakthyeshëm”, ka shkruar Zaev.

Por, ky proces bazuar në refuzimin e kreut të shtetit, Gjorge Ivanov për të mos dekretuar ligjin për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, si një nga kushtet kryesore për hapjen e negociatave, duket se do të kalojë nëpër një fazë të vështirë.

Partitë në pushtet thonë se ligji sërish do të kthehet në procedurë parlamentare, ndërsa paralajmërojnë presidentin me pasoja nëse nuk respekton Kushtetutën, e cila e obligon të dekretojë ligjin pas votimit të dytë në Kuvend.

Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), thotë se procedura për shkarkimin e tij është gati, por edhe masa tjera tjera ligjore pasi t’i skadojë mandati i presidentit vitin tjetër.

“Jemi të vetëdijshëm se kjo është pak e vështirë për shkak të mungesës së dy të tretave të votave në Kuvend dhe dy të tretës së votave në Gjykatën Kushtetuese, por vlerësojmë se edhe deputetët, por edhe opinioni do të vetëdijësohen rreth bllokadave irracionale të cilat në vazhdimësi i bënë Ivanov duke u vënë në rolin e ligjvënësit, duke qenë pjesë e pushtetit ekzekutiv. Vlen edhe ajo që pas skadimit të mandatit, i cili fatmirësisht është vetëm edhe disa muaj, ne të nisin procedurat ligjore për bartjen e përgjegjësisë nga ana e tij për mosrespektimin e Kushtetutës si në rastin me Ligjin për gjuhën shqipe, ashtu edhe për Marrëveshjen e emrit me Greqinë”, thotë Grubi.

Pas ratifikimit në Kuvend dhe dekretimit nga presidenti, Marrëveshja për emrin duhet të kalojë edhe në referendum, ndërsa më pas do të nisë procedura për ndryshime kushtetuese, për harmonizimin e saj me emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut. Në rast të dështimit të referendumit, dështon edhe e tërë marrëveshja dhe me këtë edhe procesi integrues, pasi Greqia si kusht kryesor për hapjen e rrugës së anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, ka vendosur ndryshimin e emrit të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat