Ademi në takim ministror për arsim dhe shkencë në Bruksel

Maqedonia

Ademi në takim ministror për arsim dhe shkencë në Bruksel

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 23:47
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, merr pjesë në Takimin e shtatë ministror

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, merr pjesë në Takimin e shtatë ministror, i cili zhvillohet sot në Bruksel, që e organizon Komisioni Evropian, në kuadër të Platformës për Arsim dhe Trajnim të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në ditën e parë të këtij takimi, ministri Ademi u drejtua me fjalën e tij në panel diskutimin kushtuar sfidave me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e shkencës dhe kërkimit, ku theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e vetëdijshme se alternativa më e mirë për përparimin shoqëror – ekonomik, përveç në arsim, është edhe investimi në shkencë, hulumtim dhe inovacione, prandaj janë ndërmarrë aktivitete të shumta dhe kanë nisur një sërë projektesh që në periudhën afatmesme dhe afatgjatë duhet të sigurojnë përparim në këto fusha.

Ministri Ademi është përqendruar edhe për Strategjinë e re të Arsimit të vendit për periudhën deri në vitin 2025, për të cilën, siç tha ai, është një dokument strategjik i rëndësishëm që do të kontribuojë ndjeshëm në arritjen e qëllimit parësor të Qeverisë, integrimi i sistemit arsimor nacional në hapësirën evropiane të arsimit.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftojnë se ai, gjithashtu, ka potencuar se Strategjia në fjalë është përpiluar dhe do të zbatohet së bashku me të gjitha palët e interesuara që, sipas tij, paraqet garanci për efikasitet dhe efektivitet.

Lidhur me aktivitetet që dalin nga kjo Strategji, kreu i Arsimit dhe Shkencës më hollësisht do të diskutojë gjatë ditës së nesërme, kur edhe janë paraparë panel diskutime kushtuar sfidave dhe politikave për zhvillimin e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimin ministror marrin pjesë edhe përfaqësuesit e lartë të Komisionit Evropian dhe Drejtorisë së përgjithshme për arsim dhe kulturë, përfaqësues nga Drejtoria për zgjerim, si dhe ministrat dhe përfaqësuesit e lartë të Ministrive të Arsimit të Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës.

Platforma e Arsimit dhe Trajnimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është krijuar në vitin 2012 dhe ka për qëllim të iniciojë bashkëpunim më të madh midis institucioneve të sistemit në të gjitha vendet e rajonit, me qëllim që të shkëmbehen përvoja dhe shembuj pozitivë, të detektohen sfidat arsimore dhe të sigurohet qasje e përbashkët për t’i tejkaluar të njëjtat. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat