Ivanov do paditet pas skadimit të mandatit

Maqedonia

Ivanov do paditet pas skadimit të mandatit

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 21:17
Presidenti Gjorge Ivanov

Presidenti Gjorge Ivanov pas skadimit të mandatit do të ketë padi penale dhe do të ballafaqohet me gjykatën, ku do të japë llogari për bllokimin e mundshëm që mund t’ia bëjë shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë duke mos nënshkruar marrëveshjen për emrin.

Kështu deklaroi deputeti i LSDM-së, Muhamed Zeqiri, në emisionin VOX në Televizionin Shenja. Ai tha se Ivanov duhet të japë llogari edhe për bllokimin që i ka bërë Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

MUHAMED ZEQIRI, DEPUTET I LSDM-SË

“Edhe pse duhet të jep llogari sigurisht edhe për bllokimin që i ka bërë Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe nëse edhe një herë e bën këtë, gjithsesi Ivanov do të ballafaqohet me gjykatën dhe do të ketë padi penale për atë dhe ai pas skadimit të mandatit si president, do të jetë qytetar i thjeshtë i këtij shteti dhe ajo do ndodh pas disa muajve dhe ai do të jep llogari për bllokimin e mundshëm që mund të ja bëjë shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë”

Megjithatë, ai shtoi se pavarësisht mosnënshkrimit të tij, vendimin për këtë marrëveshje do ta marrin qytetarët nëpërmjet referendumit që do të mbahet në vjeshtë.

Deputeti i Lëvizjes BESA, Rexhep Memeti theksoi se zgjedhjet e parakohëshme parlamentare nuk do të ishin të preferueshme që të mbahen së bashku me referendumin, pas një gjë e tillë nuk do të lejonte përmbushjen e marrëveshjes për emrin në afatet e përcaktuara.

REXHEP MEMETI, DEPUTET I LËVIZJES BESA

“Marrëveshja që është arritur ka një element të afatizimit dhe nëse dëshirojmë që ta përmbushim këtë marrëveshje në afatet e përcaktuara do të ishte pak e vështirë nëse nuk funksionojnë institucionet, gjegjësisht parlamenti. Në një situatë të tillë nuk kemi mekanizëm se si ta zbatojmë marrëveshjen e arritur. Atëherë mendoj se nuk do të ishte e mundur që të shkohet në zgjedhje paralelisht me referendumin dhe do të duhet të fokusohemi në referendum”

Të dy deputetët folën edhe për procedurat për ndryshimet kushtetuese, të cilat siç theksuan ata do t’i marrin Maqedonisë minimum tre muaj kohë. Ata sqaruan se fillimisht do duhet të miratohet nevoja për hapjen e ndryshimeve kushtetuese, pastaj vijon debati në Komisionin për Çështje Kushtetuese, më pastaj vazhdon debati publik, dhe në fund rikthimi në Parlament.

Ata nënvizuan se shumica parlamentare nuk i ka numrat për ndryshim të Kushtetutës, dhe në këtë rast do të nevojitet konstruktivitet nga partia opozitare. Ndërkaq, sa i takon anëtarësimit në BE, deputetët thonë se varet se për sa kohë Maqedonia do t’i plotësojë detyrat ndaj BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat