Ratifikimi i Marrëveshjes për emrin, heshtje në Presidencën maqedonase

Maqedonia

Ratifikimi i Marrëveshjes për emrin, heshtje në Presidencën maqedonase

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 17:02
Presidenti Ivanov

Një ditë pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend mes Maqedonisë dhe Greqisë, Presidenti Ivanov akoma nuk është prononcuar zyrtarisht.

Nga kabineti i tij duke konfirmuar se kanë pranuar ligjin e nënshkruar nga kryetari i Kuvendit, thonë se opinioni do të njoftohet në kohë për qëndrimin e presidentit. Ky i fundit paraprakisht u shpreh se nuk do ta nënshkruaj ratifikimin.

Madje kryeministrit Zaev i bëri thirrje që të iniciojë impiçment. Duke pasur parasysh se për përgjegjësi Kushtetuese të Presidentit nevojiten 2/3 e votave, VMRO-DPMNE-ja i bën me dije Zaevit se një iniciativë e tillë mund të mbetet vetëm ëndërr e tij. Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski inkurajoi presidentin Ivanov që ta mbrojë Kushtetutën nga marrëveshja siç e quan ai kapitulluese.

“Diçka të tillë jo vetëm që nuk do ta mbështesim por as nuk do të mendojmë për një gjë të tillë. Nëse Zaev nuk është i thirrur për të mbrojtur Kushtetutën, atëherë ai njeri është presidenti Ivanov. Ajo është detyrë dhe përgjegjësi e tij themelore”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski nuk do të bëj obstruksione ndaj referendumit. I pyetur nëse do ta ftoj anëtarësinë të mos dalin, Mickoski theksoi se referendumi është e drejtë demokratike e qytetarëve, duke betonuar qëndrimin e tij se do të votojë kundër marrëveshjes Maqedoni-Greqi.

“E drejtë elementare dhe demokratike e çdo qytetari është të vendos nëse do të votojë ose jo. Gjithashtu edhe fshehtësia e votës është e garantuar, do të votojë për një parti ose jo apo të votoj për ose kundër kur flasim për referendum” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Marrëveshja u ratifikua me 69 vota pro dhe asnjë kundër. Pas miratimit ligji u dërgua tek presidenti i cili duhet të prononcohet në afat prej shtat ditëve. Në rast se Ivanov nuk e nënshkruan ligjin, i njëjti do të kthehet në Kuvend por kësaj radhe pa mundësi parashtrimi të amendamenteve pasi që Rregullorja për punën e Kuvendit garanton që ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nuk plotësohet ose ndryshohet në procedurë parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat