ASH: Instrumenti i BE-së për Asistencën e Para-Anëtarësimit një hap i rëndësishëm drejt transformimit të Maqedonisë - Bota Sot
ASH: Instrumenti i BE-së për Asistencën e Para-Anëtarësimit një hap i rëndësishëm drejt transformimit të Maqedonisë

Maqedonia

E martë, 17 korrik 2018

ASH: Instrumenti i BE-së për Asistencën e Para-Anëtarësimit një hap i rëndësishëm drejt transformimit të Maqedonisë

Nga: A.M. Më: 20 qershor 2018 Në ora: 19:34
Ilustrim

Aleanca për Shqiptarët ka përshëndetur miratimin nga Komisioni Evropian të propozimit të saj për një Rregullore evropiane mbi Instrumentin e Asistencës së Para-Anëtarësimit për periudhën 2021-2027 (IPA III).

Përmes një komunikate për media thuhet se propozimi i KE-së tregon për një angazhim të vërtetë për të kthyer në realitet transformimin gjithëpërfshirës politik, ekonomik dhe shoqëror të Ballkanit dhe të Maqedonisë, të paraparë me strategjinë e re të BE-së për zgjerimin, “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për dhe një angazhim i forcuar i BE-së me Ballkanin Perëndimor” të shkurtit 2018.

“Përkundër Brexit-it dhe humbjes së parashikuar të afro 15% të buxhetit të BE-së në kontribute britanike, KE propozon të shpenzojë 14.5 miliardë euro nën IPA III, një rritje prej 13% krahasuar me periudhën aktuale. Duke pasur parasysh datën e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga viti 2025 e tutje të përmendur në strategjinë e re të zgjerimit, kjo rritje e financimit evropian do të jetë vendimtare për të siguruar që vendet të bëhen gati gjatë dekadës së ardhshme që të kalojnë nga statusi i kandidatit në atë të shtetit anëtar.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson lartë fokusin e ri në IPA III mbi “gjërat themlore së pari”, që nënkupton një qasje të re që ndërlidh ngushtë shtetin e së drejtës me dy fushat tjera kryesore të procesit të anëtarësimit: qeverisja ekonomike dhe forcimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike. Ne besojmë se për t’a bërë realitet perspektivën e zgjerimit, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe ndalja e kapjes së shtetit duhet të bëhen gurthemeli i politikës së zgjerimit. Qasja “gjërat themlore së pari” është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.

Aleanca për Shqiptarët është e gatshme të japë kontributin e saj në formësimin e prioriteteve të asistencës së ardhshme të BE-së dhe beson se IPA III ka potencialin për t’i adresuar çështjet më urgjente me të cilat ballafaqohet vendi. Duke pasur parasysh fokusin e IPA III në tema dhe prioritete politike horizontale e jo më në grante për shtete veç e veç, do të jetë shumë me rëndësi që të sigurohet përfshirja kuptimplotë e Kuvendit dhe e shoqërisë civile për të garantuar që prioritetet të bazohen në shqetësimet reale të qytetarëve.

Këto prioritete duhet të përqëndrohen kryesisht në ndaljen e korrupsionit dhe të kapjes së shtetit në gjyqësor dhe në administratë publike, reformën e vetëqeverisjes lokale për të siguruar që komunat të mund të garantojnë shërbime publike cilësore, reformën e qeverisjes ekonomike dhe të sektorit të arsimit për të krijuar vende pune të qëndrueshme dhe për të ndalë emigrimin masiv të qytetarëve, si dhe reformën e sistemeve të mbrojtjes sociale për të siguruar shërbime shëndetësore dhe sociale të përballueshme, të qëndrueshme dhe cilësore.

Vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për të përgatitur Maqedoninë për anëtarësim në BE. E kjo kërkon një transformim radikal edhe në anën e BE-së e cila duhet të kthejë fjalët e saj në vepra. Nëse nuk i adresojmë prioritetet e duhura në mënyrën e duhur, perspektiva e anëtarësimit në BE do të mbetet një objektiv i paarritshëm për Maqedoninë”,  thuhet në komunikatën për media të Aleancës për Shqiptarët.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test