Alarmante, mijëra infermierë braktisin Maqedoninë për Gjermani

Maqedonia

Alarmante, mijëra infermierë braktisin Maqedoninë për Gjermani

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 23:04
Ilustrim

“Nëse bini dakord, na duhen dokumentet tuaja, na duhet cv-ja jote, diploma jote, letra e motivimit,..”

Po dëgjon me vëmendje për dokumentet që duhet sjellë për t’u punësuar në Gjermani. Nora Limani është motër medicinale e sapo diplomuar e cila i është drejtuar një qendre për ndërmjetësim dhe punësim në Gjermani. Ajo thotë se kushtet më të mira të punës kanë bërë që të mendojë që të largohet edhe pse është në moshë shumë të re.

“Të gjithë shtetasit e këtij vendi janë të vetëdijshëm se sa e madhe është papunësia, sidomos për ata që janë të diplomuar, e të mos flasim për ata që s’janë të diplomuar. Meqenëse ne kemi shumë të rinj që kanë pasion dhe duan punën vërtetë, por askush nuk i motivon që të kenë konstant ritmin e dëshirës për punë. Vetë faktin që gjermanët neve na mundësojnë gradualisht të përparojmë dhe na japin mundësi më të mëdha që i kemi këtu, atëherë është normal që si unë ashtu edhe të gjithë të tjerët do të kishim konkurruar”, tha Nora Limani – motër medicinale.

Shoqata e infermiereve “Për ne” thonë se arsyeja e ikjes së motrave medicinale në numër kaq të madh qëndron tek kushtet e këqija të punës dhe pagat e vogla. Sipas të dhënave jozyrtare që ata posedojnë, rreth 3 mijë motra medicinale po mësojnë gjuhën gjermane dhe po përgatiten për të lëshuar vendin shumë shpejt.

“A keni dëgjuar të kemi ikje të avokatëve, përmbaruesve, gjykatësve, Kam respekt të plotë për të gjitha profesionet, por përmbaruesit sigurisht nuk do ta lëshojnë vendin. Thjeshtë, më të goditurat janë drejtimet tona. Nga anëtarësia jonë kemi mësuar që në vend ka agjencinë që po mobilizojnë mijëra motra medicinale, të cilat po mësojnë gjuhën gjermane dhe po përgatiten që brenda 3 muajve ta lëshojnë vendin”, u shpreh Gordanka Beshliovska – kryetare e shoqatës “PËR NE”.

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe njoftoi se po punohet në drejtim të luftimit të këtij fenomeni nëpërmjet rritjes së pagave dhe trajnimeve të ndryshme të infermiereve për të fituar më shumë aftësi. Ai njoftoi se ka biseduar me ministrin gjerman të Shëndetësisë për mundësinë e dërgimit të motrave medicinale për punësim sezonal disa mujor, me kusht që të kthehen përsëri.

“Biseduam për të bërë një sistem të punës së përkohshme në Gjermani. Do të kemi takim edhe në javën e ardhshme me përfaqësues zyrtar të ministrisë së shëndetësisë dhe ajo që planifikojmë është që t’u hapet dera motrave medicinale, që të mund të punojnë atje përkohësisht, nga 1-2 muaj. Të fitojnë para dhe mos ta lëshojnë vendin”, tha Venko Filipçe – Minister i shëndetësisë.

Ndryshe, sipas të dhënave të Shoqatës së motrave medicinale “Për ne”, në Maqedoni ka rreth 7 mijë motra medicinale, ndërsa mosha mesatare e atyre që janë të punësuara është nga 45 në 55 vjet. Sipas këtyre të dhënave rreth 3 mijë motra medicinale kanë filluar procesin e mësimit të gjuhës gjermane dhe largimit nga vendi.

Nga qendra për gjuhë të huaja dhe ndërmjetësim për punësim në Gjermani “Opportunity Center” na njoftuan se interesi për t’u larguar është i madh ndërsa shumica e klientëve të tyre janë pikërisht motrat medicinale edhe pse tek ta ka të paraqitur edhe mjekë, stomatologë dhe punëtorë të sferave të tjera të shëndetësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat