Zaev bisedoi në telefon me Tsiprasin për çështjen e emrit, optimist se zgjidhja është afër

Maqedonia

Zaev bisedoi në telefon me Tsiprasin për çështjen e emrit, optimist se zgjidhja është afër

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 20:42
Nga Qeveria maqedonase informojnë se biseda ka filluar në orën 14, ndërsa ka zgjatur një orë.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe ai i Greqisë Aleksis Tsipras sot kanë komunikuar përmes telefonit.

Nga Qeveria maqedonase informojnë se biseda ka filluar në orën 14, ndërsa ka zgjatur një orë.

“Gjatë bisedës është diskutuar për çështjet e mbetura dhe janë rishikuar disa ide dhe zgjidhje. Në mëngjesin e nesërm do të pasojë edhe një bisedë telefonike”, është thënë nga qeveria e Maqedonisë, raporton Tv21 i Maqedonisë.

Nga burime qeveritare greke biseda është cilësuar si pozitive, shkruajnë mediat në Greqi, duke rikonfirmuar se një bisedë tjetër pritet nesër në orët e paradites.

Pak orë përpara kësaj bisede, kryeministri Zoran Zaev, deklaroi se po bëhen përpjekjet e fundit në përafrimin e qëndrimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Vonesën e bisedës telefonike mes tij dhe homologut grek Tsipras, ai e arsyetoi me rishikimin e aspekteve juridike-formale të tekstit të marrëveshjes.

“Besoj se janë momentet e fundit në përpjekjet për përafrim të qëndrimeve dhe që bashkërisht dhe njëkohësisht ta shpallim lajmin e gëzueshëm, si për qytetarët e Maqedonisë po ashtu edhe për ata të Greqisë, se më në fund kemi marrëveshje mes Maqedonisë dhe Greqisë”, u shpreh Zaev.

Kryeministri gjithashtu shtoi se beson që “hapat e fundit po çojnë drejt përpilimit të një teksti të mirë që do të jetë garanci juridike për të dyja palët”.

Ditët janë të numëruara, shtoi Zaev, duke u shprehur optimist se zgjidhja mund të arrihet para takimit të Samitit të BE-së që do mbahet më 28 dhe 29 qershor.

As sot kryeministri nuk pranoi të flasë për emrin e mundshëm për të cilin po bisedohet.

Nëse arrihet marrëveshje mes kryeministrave dhe ministrave, Zaev tha se e njëjta menjëherë do t’i paraqitet presidentit dhe liderëve të partive politike në vend, ndërsa ripërsëriti se fjalën e fundit për emrin e shtetit do ta kenë qytetarët përmes referendumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat