Trajtimi njëditor, nevojë e kohës

Maqedonia

Trajtimi njëditor, nevojë e kohës

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 18:29
Ilustrim

Klinikat e Maqedonisë do të hapin reparte të veçanta ku do të trajtohen rastet mjekësore, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje të shpejtë kirurgjikale. Ky do të jetë një lehtësim i madh për pacientët, të cilët nuk do të kenë nevojë për hospitalizim më të gjatë, pra do të trajtohen në bazë ditore. Mjekët thonë se ndërhyrjet mjekësore brenda ditës mund të bëhen vetëm për sëmundjet më pak të ndërlikuara dhe jo për ato më të vështira, shkruan gazeta KOHA. Por, gjithsesi se mjekimet e tilla kërkojnë kushte, staf mjekësore profesional. Mjekët, po ashtu sqarojnë se bëhet fjalë për procedurat kirurgjikale që do të trajtohen dhe që janë të thjeshtëzuara.

Pas kontrollit të nevojshëm preoperator, i cili kryhet gjatë ditës, pacienti i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale dhe më pas kalon në dhomën e pushimit ku qëndron për një kohë të shkurtër e largohet për në shtëpi brenda po të njëjtës ditë që është kryer ndërhyrja kirurgjikale.

Një ndryshim i këtillë në klinika është mjaft efikase, thotë Gëzim Nuredini, për arsye se ka raste kur pacientët do të duhet të monitorohen brenda një kohe të shkurtër e jo të hospitalizohen më gjatë, ku edhe bëhet një analizë më konkrete, ndonjë terapi eventuale dhe brenda ditës pacienti do të ik në shërim shtëpiak, nëse i plotëson kushtet shëndetësore. Këtu bëhet fjalë për monitoring dhe ndonjë diagnostikë, intervenime të lëkurës, sëmundjet infektive edhe për intervenime që mund të bëhen për një ditë. Ai mendon se vendimi i Qeverisë për inicimin e spitaleve ditore, si ide është pozitive, por deri në realizim duhet punë, ku edhe do të shihen se cilat janë mangësitë dhe ku duhet të merren masa konkrete.

“Ka probleme, si në reforma, në mungesë personeli, për shkak të mjekëve që kanë ikur dhe për arsye se teknologjia e re kërkon sofistikime të reja në mjekësi, ku sigurisht trendet duhet të ndiqen, prandaj duhet reforma edhe në pjesën e pajisjeve medicinale, gjë që do të thotë se punët në Maqedoni janë ende të kufizuara”, thotë për gazetën KOHA, mjeku i përgjithshëm Gëzim Nuredini.

Studenti i Mjekësisë në Shkup, Arbijon K. thotë se Ideja e “one day surgery” (trajtim një ditor) ose “out patient”, gjegjësisht procedura pa qëndrim nate në spital në rastet kur nuk ka nevojë për mbikëqyre mjekësore të pacientit, që praktikohet në vendet perëndimore veçanërisht në Britaninë e Madhe, si koncept ka një efikasitet të madh praktik dhe ekonomik, në një vend me organizim të përkryer të sferës së shëndetësisë, por është e vështirë të praktikohet diçka e tillë në vendin tone. Pikë së pari si pasojë e mungesës se kuadrove por dhe e bashkëpunmit jo të mjaftueshëm të nivelit primar dhe atij tercier në shkallë rajonale. Arbijoni mendon se problemi kryesor që do ta pengojë inkuadrimin e këtij projekti është jotriazhimi kualitativ i pacientëve nga mjekët amë dhe udhëzimi i tyre në njësi terciere. Por nuk përjashton faktin që ngelet për të përshëndetur vullnetin e mirë për të ngjasuar me shtetet e zhvilluara perëndimore. Ai sugjeron se fokusimi duhet të jetë në nivelin primar, edukimi kualitativ i vazhdueshëm dhe revidimi i shpeshtë i licencave profesionale të tyre. Dhe nëse i rregullojmë këto fenomene koncepti ‘trajtimi një ditor’ do vjen si pasojë e suksesit të mjekëve.
Deri më tani operacionet mikrokirurgjikale janë bërë në Shkup, veçmas në spitalet gjinekologjike, ku pacientet ka qëndruar më pak se 8 orë, pas abortit. Po ashtu, në sallën e kirurgjisë plastike. Kjo iniciativë e Qeverisë mendohet të ulë shpenzimet e Fondit për sigurim shëndetësor. Ndërsa, nga qeveria thonë se në këtë drejtim do të përgatiten udhëzime dhe do të përshtaten hapësira me kushte të posaçme në suaza të spitaleve të përgjithshme dhe klinikave ku ekzistojnë mundësi bazuar në vlerësimin e kryer. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat