Maqedoni, vazhdon procesi gjyqësor “Shuplaka”, dëshmitarët përshkruajnë dhunën ndaj tyre

Maqedonia

Maqedoni, vazhdon procesi gjyqësor “Shuplaka”, dëshmitarët përshkruajnë dhunën ndaj tyre

Më: 6 qershor 2018 Në ora: 20:53
Rasti “Shuplaka”

Rasti për dhunën në komunën Qendër të Shkupit në vitin 2013 vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve. Këshilltarja e LSDM-së në komunën Qendër, Cvetanka Simonovska, dëshmoi se gjatë tentimeve për të filluar seanca ku diskutohej plani urbanistik i komunës Qendër, këshilltarët e atëhershëm të OBRM-PDUKM-së u jepnin udhëzime përmes telefonit protestuesve të mbledhur para objektit të komunës.

Simonovska e kishte të paqartë faktin se përse në seancat për këtë rast në bankën e të akuzuarve janë vetëm tre nga këshilltarët e atëhershëm të partisë në pushtet, sepse, sipas saj, i gjithë grupi i këshilltarëve të OBRM-PDUKM-së duhet të përgjigjet, pasi të gjithë koordinuan protestën dhe dhunën.

Dëshmitarja tjetër, Biljana Curillova, dëshmoi për lëndimet që i janë shkaktuar asaj personalisht. Ajo ishte goditur me copë qelqi në sy dhe se urgjentisht ishte dërguar në spital me ndihmën e shpejtë. Në sallën e gjykimit Curillova njohu disa prej personave që protestuan  dhe tha se do të kërkojë dëmshpërblim për lëndimet që ka marrë.

Simonovska dhe Curillova, bashkë me dy dëshmitarët e tjerë që do të dëshmojnë seancën e ardhshme gjyqësore janë dëshmitarët e propozuar nga PSP-ja.

Në rastin “Shuplaka” akuzohen 14 persona, në mesin e të cilëve është ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i transportit dhe lidhje, Mile Janakievski, si dhe ish këshilltarja dhe deputetja aktuale e OBRM-PDUKM-së, Daniella Rangellova. Dy prej të akuzuarve më herët e pranuan fajin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat