Më pak lindje, më shumë migrim në Maqedoni

Maqedonia

Më pak lindje, më shumë migrim në Maqedoni

Më: 2 qershor 2018 Në ora: 12:19
Ilustrim

Mosinteresimi i prindërve për të patur fëmijë të dytë ose të tretë si dhe shpërngulja e madhe e qytetarëve jashtë shtetit, kanë ndikuar dukshëm në rënien e natalitetit të popullatës në Maqedoni, ndërkohë që masat stumuluese që i inicioi qeveria e kaluar, sipas mjekëve dhe demografëve, nuk arritën efektin e dëshiruar.

Varësisht në cilat mjedise sociale jetojnë qytetarët, si dhe niveli arsimor i tyre, mund të flitet edhe për shkaqet e rënies së natalitetit. Profesorët universitarë mendojnë se ulja e natalitetit vjen nga mosarsimimi i femrës shqiptare, mosinkuadrimi i saj në punë, por edhe nga pagat e ulta në vendin e punës.

Në repartin Obstetrikë-Gjinekologjik në Gostivar në dekadën e fundit ka një ulje drastike të lindshmërive. Sipas kryeshefit të repartit, dr. Agim Jakupi shkaqet janë politike, por edhe ekonomike. Ai sqaron se në këtë repart viteve të fundit është evident zvogëlimi i lindjeve. Këtë ai e ilustron më të dhëna konkrete, duke krahasuar vitet dhe periudhat kohore. Kështu që, sipas tij, para 17 viteve kur edhe është punësuar në Spitalin e Gostivarit, ka patur 1300 lindje në vit, ndërkohë që viteve të fundit shifra e lindshmërisë zbret në 680 foshnje. Por statistikat e vitit të fundit shënon një rritje prej 5 lindjeve, më shumë se vjet.

Dr.Jakupi përmend migrimin e popullatës, sidomos i moshave të reja, si një nga arsyet e rënies së natalitetit. Si shkaqe të tjera ai evidenton edhe situatën e disfavorshme ekonomike e sociale në vend që nënkupton faktin se prindërit e punësuar me rroga të ulëta, nuk kanë mundësi që të lindin më shumë se dy fëmijë. Nuk është si dekada më parë kur nënat shqiptare edhe përkundër kushteve të vështira ekonomike lindnin edhe nga 5, 6 fëmijë, thotë ai.

Pakoja e programeve stimuluese nga ana e qeverisë pararendëse, në thelb ishte diskriminues, për arsye se favorizonte vetëm një pjesë të popullatës. Dr.Jakupi ka vërejtje në këtë aspekt sepse këto stimulime i dedikoheshin vetëm komunave në Maqedoninë Lindore, kurse pjesët tjera, të banuar kryesisht me shqiptarë, i nënshtroheshin kritereve absurd që në të shumtën e rasteve bëhej përmes pengimeve në dokumentat si të pakompletuara.

Një shkak tjetër i zvogëlimit të numrit të lindjeve, sipas kryeshefit të repartit të Obstetrikës- gjinekologjisë në Gostivar, dr.Agim Jakupi, qëndron në atë se Ministria e Shëndetësisë ka dhënë mundësinë që gratë shtatzëna të zgjedhin vendin e lindjes ku të duan, pa rekomandim të mjekut sekundar.

“Ju dha mundësia grave shtatzëne që të zgjedhin vetë vendin e lindjes, por nga ana tjetër u bë një politikë e padrejtë, për ta rritë numrin e lindjeve në klinikën e Shkupit, i cili ishte në rënie e sipër. Çdo paciente që shkon në muajin e pestë në “skrining” (ndjekje e shtatzënisë), në Shkup, iu bëhet me dije se janë raste pak më specifike dhe që duhet të lindni në klinikë. Domethënë një pjesë dërmuese të pacienteve na i tërhoqën për lindje. Këto dhe shkaqe të tjera kanë ndikuar që gjatë 15 viteve të fundit lindshmëritë në repartin tonë të bien për rreth 55 për qind”, saktëson dr.Agim Jakupi, duke përmendur edhe funksionimin e klinikave private me standarde të larta si shkak i ikjes së pacienteve nga klinika ku ai punon.

Për dallim nga Spitali i Gostivarit, një ndryshim pozitiv vërehet në spitalin Gjinekologji dhe Obstetrikës “Nënë Tereza” në Shkup. Siç njoftojnë, në dy vitet e fundit, në këtë spital, shënohet rritje prej 1100 lindjeve, ndonëse kjo shifër nuk e ndryshon numrin e lindshmërive në nivel republikan.

“Në spitalin tonë këto dy vitet e fundit kemi rritje të numrit të lindjeve nga 2800 lindje në 3900 lindje , që sipas dinamikës së tashme dhe me numrat me të cilat udhëhiqemi tash, jemi të bindur që këtë vit 2018 do ta përmbyllim me rreth 4200 lindje, dhe kjo do të thotë se jemi në epërsi nga spitalet e tjera të vendit, edhe pse paciente kemi nga gjithë qytet e Maqedonisë”, tha doktor Ilir Shurdhani, nga spitali i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës “Nënë Tereza” në Shkup.

Si rrjedhojë e të rinjve që martohen me vonesë, por edhe arsimimi i vonshëm i femrës shqiptare, problemi social dhe ekonomik, pasiguria dhe të gjithë këto kanë ndikuar që të bie në masë të madhe lindshmëria.
Profesori universitar Fauzi Skenderi thotë se shqiptarët në krahasim me komunitet e tjera në vend, janë më mirë, por largimi i të rinjve jashtë shteti ka ndikuar mjaft në zvogëlimin e popullsisë.

“Ajo që është me rëndësi dhe që mund të quhet “thikë me dy teha”, në diasporë kemi shtimin e lindshmërisë te komuniteti shqiptar, që do të thotë se ajo ka ndikuar që kohët e fundit ta kompenzojë uljen e natalitetit të komunitetit shqiptar në Maqedoni. Por, problemi i uljes së natalitetit në nivel shtetëror qëndron diku tjetër, urbanizimi i jetës në fshat dhe mospërfshirja e femrës shqiptare në proceset shoqërore – ekonomike. Ajo që është edhe më problematike, hutia që është shkaktuar me këtë eksoduz nën hije, që pak a shumë edhe i ngjason eksodusit të viteve “50, i organizuar nga qeveria Jugosllave, atëherë ku ndodhi shpërngulja e madhe e popullatës tonë për në Turqi, tani kur jemi dëshmitar se neve po na shterohen klasat fillore, të mesme, pastaj edhe universitetet, dhe atë çdo ditë e më tepër shpërngulet rinia.

Vetëm në katedrën e Gjeografisë nga 30 studentë të regjistruar vitin e kaluar në vitin e parë, kanë mbetur 17 studentë këtë vit. Por edhe problemi ekonomik, ku rrogat janë të limituara, ndikon në uljen e lindshmërisë. Sot një fëmijë të rritësh është luks i madh, kurse puna e të rinjve që bejnë vlerësohet pak, ose është e pasigurt dhe shteti nuk iu del në ndihmë”, nënvizon Fauzi Skenderi, pedagog i gjeografisë në UT. Sipas tij, më herët nënat tona kanë lindur më shumë fëmijë, por ata fëmijë që në moshë të re janë punësuar në fshatin e tyre, sepse në qytet nuk ka patur punësime për shqiptarët. Për dallim nga sot kur, siç thotë prof. Skenderi, kërkesat e fëmijëve janë më të lartë, ndiqen brendet e modës dhe përgjithësisht kostoja e jetës është më e shtrenjtë, procese botërore që kanë prekur edhe përditshmërinë tonë.

Statistikat e fundit tregojnë se Manastiri, Prilepi, Shtipi, Kumanova, Kërçova, Kavadari janë vetëm disa nga komunat në Maqedoni që ka rënie të lindshmërisë dhe rritje të vdekshmërisë në tre muajt e parë të vitit 2018. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i fëmijëve të lindur ka rënë për 1.6 për qind, ose për 5 255 lindje. Shifrat nuk janë më optimiste edhe në komunat më të vogla që kanë një numër më të vogël banorësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat