Universitetet në Maqedoni me mungesa elementare

Maqedonia

Universitetet në Maqedoni me mungesa elementare

Më: 1 qershor 2018 Në ora: 10:31
Ilustrim

Rreth 60 për qind e studentëve të anketuar nga UNSH-ja e kanë përshkruar si “shumë të dobët” gjendjen me bibliotekat, mbi 50 për qind janë të pakënaqur sa i përket çështjes me pajisjet kompjuterike, ndërsa nuk është aspak e vogël përqindja e atyre që shprehen të pakënaqur me kushtet e sallave në të cilat zhvillohen ligjëratat dhe provimet

Nuk janë vetëm librat dhe profesorët ata që ndikojnë në krijimin e perceptimeve mbi cilësinë e studimeve, pavarësisht rolit kyç që kanë të dyja këto elemente në performansën akademike të institucioneve të arsimit të larët. Jo më pak të rëndësishme janë kushtet e studimit, në rastin konkret posedimi i laboratorëve, kabineteve dhe pajisjeve të teknologjive të ndryshme. Mungesën e këtyre kushteve në shumë universitete nuk kanë se si mos ta vërejnë studentët.

Madje, sikurse del nga një anketë e realizuar kohë më parë nga ana e Unionit të Studentëve Shqiptarë (USSH), mungesat në fjalë konsiderohen si problem dhe pakënaqësi në perceptimin e studentëve mbi gjendjen në përgjithësi të universiteteve ku ata studiojnë. Kështu, rreth 60 për qind e studentëve shqiptarë e kanë përshkruar si “shumë të dobët” gjendjen me bibliotekat, mbi 50 për qind janë të pakënaqur sa i përket çështjes me pajisjet kompjuterike, ndërsa nuk është aspak e vogël përqindja e atyre që shprehen të pakënaqur me kushtet e sallave në të cilat zhvillohen ligjëratat dhe provimet.

Të lutur të japin mendimin rreth gjendjes së sallave ku zhvillohen ligjëratat, 48 për qind e të anketuarve i përshkruajnë sallat në “gjendje të mirë”, 38.7 për qind në “gjendje jo të mirë”, ndërsa 14.2 për qind thonë se “nuk ka kushte për zhvillim të ligjëratave”. Po kaq shqetësuese sa është masa që ka dhënë përgjigjen e fundit, është edhe masa ende më e madhe e atyre që në pyetjen vijuese thonë se institucioni ku ata studiojnë, nuk ka pajisje kompjuterike.

Pyetjes “Në çfarë niveli është i pajisur universiteti juaj me pajisjet kompjuterike” i janë përgjigjur me “nuk ka fare” hiç më pak se 25.7 për qind e studentëve. Po kaq, pra 25.7 për qind janë përgjigjur me “shumë dobët”, 30.4 për qind me “mesatare” dhe vetëm 18.2 për qind me “shumë mirë”. Në pyetjen “Cili është mendimi juaj rreth bibliotekave të disponueshme në universitetet tuaja”, vetëm 13.5 për qind pohojnë “shumë mirë”. Mbi 28 për qind “mesatar” dhe 58.1 për qind “shumë dobët”.

Anketa e UNSH-së u realizua kohë më parë në kuadër të aktiviteteve për sensibilizimin e sfidave në arsimin e lartë në Maqedoni, kurse ishin përfshirë studentë nga Universiteti i Tetovës (28.4 për qind), Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (36.5 për qind), Universiteti “Kirili dhe Metodi” (23 për qind) dhe nga Universiteti i Evropës Juglindore (8.8 për qind). Mungesa e bibliotekave, pajisjeve kompjuterike dhe kushteve të ngjashme për studime me standarde bashkëkohore, nuk është diçka e panjohur në Maqedoni.

Sot e kësaj dite ka universitete, të cilat nuk i posedojnë fare këto kushte dhe qëndrojnë shumë larg detyrimeve ligjore për Standardin e studentëve. Paradokse të këtilla janë konfirmuar edhe zyrtarisht dhe gjenden lehtësisht dhe në Raportin e Entit Shtetëror të Statistikave për regjistrimin e objekteve dhe pajisjeve të institucioneve të arsimit të lartë në Maqedoni për vitin 2017.

Sipas të dhënave në këtë raport, jo vetëm universitetet private, por edhe ata shtetërore figurojë si institucione me mungesa thelbësore në realizimin e studimeve. Universiteti “Apostol Pavle” në Ohër dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, për shembull, nuk posedojnë fare hapësira me pajisje kompjuterike dhe as leximore. Ose e shprehur me numra, si UAP-ja ashtu edhe dhe UNT-ja rezultojnë me zero hapësira kompjuterike.

Sakaq, hapësirat e bibliotekave janë vetëm sa për të thënë edhe atë UAP me vetëm 56 metra katrorë dhe UNT-ja me vetëm 20 metra katrorë.

Mirëpo, në mesin e universiteteve me karakter publik, nuk qëndron më mirë as Universiteti i Tetovës, i cili rezulton të ketë vetëm 4 hapësira me pajisje kompjuterike me 294 metra katrorë) 4 biblioteka me 237 metra katrorë dhe 2 leximore me 187 metra katrorë.

Në këtë pikë UT-ja qëndron shumë larg Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, i cili sikurse shihet në Raportin e ESHS-së disponon pjesën më të madhe të këtyre hapësirave. Pra, UKM ka 30 hapësira me pajisje kompjuterike me gjithsej 3.956 metra katrorë, 29 biblioteka me 5.272 metra katrorë dhe 14 leximore me 2.958 metra katrorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat