Të rinjtë megjithatë po ikin jashtë

Maqedonia

Të rinjtë megjithatë po ikin jashtë

Më: 28 maj 2018 Në ora: 23:38
Ilustrim

Kush më shumë e kush më pak, të rinjtë e shkolluar nga Maqedonia e shohin perspektivën e jetës jashtë vendit. Që në auditorët e studimeve mendojnë të kryejnë sa më shpejt fakultetin dhe të gjejnë një mënyrë se si të punësohen në shtetet e Bashkimit Evropian, ndërkaq të dhëna zyrtare për papunësinë e të rinjve nga mosha 15 deri 24 vjet janë alarmante, shkruan gazeta KOHA. Në Strategjinë e Nacionale të të Rinjve (2016-2025) të përgatitur nga ana e Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH) theksohet se një prej problemeve kryesore me të cilin ballafaqohen të rinjtë në Maqedoni është shkalla e lartë e papunësisë.

“Në vitin 2015, tek të rinjtë e moshës 15-24 vjeçe, shkalla e papunësisë arriti 48.2 për qind e popullatës së kësaj moshe”, thuhet në këtë Strategji, ndërsa sqarohet se ky problem ka një lidhje të ngushtë me gjendjen financiare dhe ka ndikim mbi një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës. Shqetësuese sipas të dhënave të strategjisë përkatëse është edhe përqindja e të rinjve që nuk janë përfshirë as në procesin e arsimit, nuk janë as në punë dhe as në ndonjë program trajnimi. Kjo shkallë, thuhet se ka arritur në rreth 30 për qind të popullatës përkatëse.

Aktualisht të gjitha matjet e perceptimit publik, flasin se shumë pak të rinj mendojnë të mbesin në Maqedoni pasi të kryejnë studimet. Në një sondazh që realizoi Unioni i Studentëve Shqiptarë (USSH) vetëm 21.6 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se nuk e mendojnë largimin si alternativë të vetmen. Pyetjes “A e mendoni si alternativë të vetme dhënien e kontributit tuaj jashtë vendit”, i janë përgjigjur me “po” 56.1 për qind e të anketuarve, ndërsa

22.3 përqindëshi i mbetur kanë rrethuar si të saktë opsionin “ndonjëherë”, raporton KOHA.

Është interesante se vetëm pak më tepër se gjysma e studentëve, respektivisht 56.1 për qind e të anketuarve kanë thënë se “ shpresoj në gjetjen e një pune të përshtatshme pas mbarimit të studimeve”. Të tjerët, 16.9 për qind se “nuk shpresojnë” kurse 27 për qind se kjo “varet nga aftësitë”.

Te mungesa e perspektivës në Maqedoni venë theksin pjesa dërmuese e studentëve në përgjithësi. Një anketë tjetër të cilën kanë realizuar studentët e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, rreth 83 për qind janë shprehur se do të largoheshin për të studiuar jashtë vendit nëse do të kishin një mundësi të tillë. Në pyetjen se “cila është arsyeja kryesore e largimit të një numri të madh të studentëve nga Maqedonia, jashtë vendit” 65.2 për qind e studentë përgjigjen “mungesa e perspektivës”, 15 për qind “standardi i dobët”, 12 për qind “gjendja politike” dhe 5 për qind “sistemi arsimor”.
Ky trend shqetësues është konstatuar edhe me studimin e fundit të Fondacionit “Fridrih Ebert”, i cili trajtuar gjithashtu shpesh herë çështjen e shpërnguljeve dhe migracionit. “Gjysma e të rinjve në Maqedoni duan të largohen jashtë vendit, ndërsa një e treta prej tyre as që mendon të kthehet përsëri në Maqedoni. Mungesa e perspektivës, pasiguria politike dhe partizimi i madh janë faktorët kryesor që demotivojnë të rinjtë të planifikojnë të ardhmen e tyre në Maqedoni. Plotë 67 për qind e të anketuarve ankohen për problemet financiare dhe nuk besojnë se pas mbarimit të studimeve do të gjejnë punë“, qëndron mes tjerash në dokumentin e studimit në fjalë.  Kjo, thuhet më tej, ka ndikim negativ mbi tregun dhe fuqinë punëtore.

Në rekomandimet e dokumentit Strategjia Nacionale e të Rinjve, MASH e konsideron si emergjente marrjen e masave për të penguar largimin e të rinjve, sidomos atyre që kryejnë studimet fushave teknike.

“Duket vërtetë shqetësues fakti që rreth 80 për qind e studentëve të viteve të fundit, që studiojnë në fakultetet teknike (që vlerësohen si fakultete më atraktive për t’u larguar jashtë vendit pas mbarimit të studimeve) mendojnë ose planifikojnë të largohen nga Maqedonia. Nëse nuk do të zhvillohen aktivitete gjithëpërfshirëse, kjo shifër do të rezultojë me një ulje serioze të potencialit të zhvillimit ekonomik dhe demografik dhe në një afat më të gjatë do të ketë implikime serioze negative për Maqedoninë“, qëndron në atë dokument.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat