Deskoska nuk ka nënshkruar tenderë për riparime të shkollave

Maqedonia

Deskoska nuk ka nënshkruar tenderë për riparime të shkollave

Më: 25 maj 2018 Në ora: 19:51
Renata Deskoska

Ministrja në largim e Arsimit dhe Shkencës Renata Deskoska nuk ka zbatuar asnjë prokurim publik sa i takon riparimit ose ndërtimit të objekteve shkollore. Siç mëson jozyrtarisht Alsat, afati për shpalljen dhe firmosjen e tenderëve për riparimin e disa shkollave i cili ka qenë deri në fund të marsit, por nuk është respektuar nga e para e dikasterit të Arsimit. Kjo do të thotë se edhe shtatori i ardhshëm do të mbledhë nxënësit nëpër objektet e vjetëruara e në kushte të rënda higjienike, raste për të cilat Alsat ka informaur shumë herë.

Alsat po ashtu jozyrtarisht mëson se ministrja në largim Deskoska, duke shfrytëzuar të drejtën e saj ligjore, ja ka autorizuar një pjesë të kompetencave në këtë fushë sekretarit shtetëror në ministrinë e Arsimit, Aneta Tërpevskës. Megjithatë javë më parë, Tërpevska është larguar nga ky post. Është e paqartë nëse largimi i Tërpevskës ka të bëjë me faktin se ajo nuk ka përfunduar procedurat e prokurimeve publike në afatin e paraparë. Nga Ministria, për shkak të ditëve të festës, ishin të pakapshëm për të sqaruar gjendjen. Zv/ministri i Arsimit, Arbër Ademi konfirmon shkarkimin e sekretarit që sipas tij ka ndodhur para një periudhe më të gjatë por shton se arsyet e shkarkimit janë të tjera.

Është e vërtetë se para disa javëve një kohë pak më të gjatë nga ana e ministreshës është shkarkuar sekretri shtetëror por me sa jam i informuar, për shkak se është në kompetencë të ministrit të emërojë dhe të shkarkojë sekretarin shtetëror, ka qenë edhe vetë një kërkesë e sekretarit shtetëror, ashtu po them siç jam informuar dhe nuk ka të bëj me diçka të tillë për të cilën ju po e theksoni – deklaroi Arbër Ademi, zv/ministër i Arsimit.

Shumë shkolla fillore dhe të mesme në gjithë vendin përballen me kushte të rënda. Me dështimin e procedurave të tenderimit, atyre as këtë vit nuk do t’u mundësohet riparimi i hapësirave. Ndër shkollat e filmuara nga Alsat për të cilat ministria u zotua se do të riparohen deri në fillimin e vitit të ardhshëm shkollor janë edhe shkolla e Kllukovecit, ajo e Bllacës si dhe shkolla e Vizbegut. Shkolla të tjera për të cilat Alsat disa herë ka sensibilizuar e të cilat ndodhen në gjendje të rëndë janë “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina”, “Imri Elezi”, në Çair, shkolla “Liria” në Tetovë, gjimnazi i Kumanovës “Sami Frashëri”, objekti i vjetër i shkollës fillore “Bajram Shabani”, Shkolla e Mesme Teknike e Kumanovës etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat