Ministri Bekteshi, pjesëmarrës në konferencën ndërkombëtare për biznes dhe ekonomi në UEJL

Maqedonia

Ministri Bekteshi, pjesëmarrës në konferencën ndërkombëtare për biznes dhe ekonomi në UEJL

Më: 25 maj 2018 Në ora: 15:40
Kreshnik Bekteshi

Në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë është mbajtur sot konferencë ndërkombëtare shkencore për biznes dhe ekonomi me temë “Edukimi i biznesit në shek 21” ku panelist ka qenë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bekteshi tha se Qeveria, përmes disa institucioneve po ndihmon të rinjtë të përshtaten më shpejt në tregun e punës përmes masave të vetëpunësimit dhe të promovimit të vlerave të mirëfillta arsimore dhe shkencore si çelës për një jetë më cilësore për shoqërinë. Sipas tij,  në programin e saj të konkurrencës, inovacionit dhe ndërmarrësisë 2018, Ministria e Ekonomisë u ka kushtuar vëmendje të posaçme ndërmarrësve, në fakt, NVM-ve si nxitësit kryesorë për një ekonomi më të zhvilluar. Këtë qëllim, siç shtoi ai, ka edhe Fondi për inovacion dhe zhvillim teknologjik me programet e saja.

“Me buxhetin prej 38 milionë 390 mijë për këtë vit, vetëm për mbështetjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe një shtesë prej 9 milion denarësh për masat e politikës industriale dhe klastereve, kemi hartuar program që përmban masa të reja të krijuara sipas kërkesës dhe në favor të sipërmarrësve. Nga 13 masat për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për shumicën e të cilave tashmë kemi të shpallura thirrje publike, do të veçoja masën e re me të cilën kemi paraparë krijimin e një Parku të ri teknologjik në kuadër të universiteteve në Republikën e Maqedonisë, për të cilën kemi ndarë mjete prej 1.5 milion denarë”, ka thënë në fjalën e tij ministri Bekteshi.

Ai shton se përderisa, ne presim të shohim një bashkëpunim më të madh dhe konkurrencë midis organizatave rivale me qëllim të avancimit të industrisë në tërësi, “shkollat do të duhet t’u sigurojnë studentëve aftësi për tu përballur me këto sfida që sjellin trendët botërore, siç është Qendra për zhvillimin e biznesit në kuadër të UEJLI-it”.

“Në vitin 1991, kur edhe u pavarësua Maqedonia, kjo menjëherë nënkuptonte edhe fillimin e krijimit të ekonomisë dhe tregut tonë si shtet në vete, shumë më i vogël nga ai i mëparshmi. E në atë kohë, një nga ekonomitë më të forta të botës – Bashkimi Sovjetik – u shkatërrua ndërsa secili vend në Evropën Perëndimore kishte monedhën e vet. Ende askush, aso kohe, nuk kishte dëgjuar për rrjetin global apo mjetet dixhitale që sot kanë bërë botën si një fshat të tërë. Pothuajse një çerek shekulli më vonë, shumë gjëra ndryshuan – Kina dhe India u bënë tregjet më të fuqishme; EURO-ja e shumëpritur për disa vende nënkuptonte lehtësim ndërsa për disa vende shqetësim. Por disa vende të Evropës Lindore u bënë partnerë të rinj tregtarë në vendet e Evropës Perëndimore – dhe e gjithë kjo përmes mrekullive teknologjike, të cilën me plot kuptimin e fjalës e kemi në pëllëmbë të dorës. Të gjitha këto që po përmend, padyshim që kërkojnë ndryshime edhe në sistemin arsimor, veçanërisht duke reflektuar në edukimin e bizneseve. Por ky proces nuk mbaron këtu, sepse është i kushtëzuar nga sfida se vallë si do të dukej biznesi në shekullin e ardhshëm? Dhe, si do të përshtaten fakultetet e biznesit dhe ekonomisë për të ndihmuar drejtuesit e tyre të ardhshëm të përballen me këto sfida?”, ka theksuar ministri Bekteshi.

Ndryshimet klimatike, popullsia në rritje (nga 5.3 miliardë në 7.4 miliardë dhe pritet që për 25 vjet të arrijë 9 miliardë njerëz ), zvogëlimi i resurseve natyrore – e gjithë kjo sipas tij do të thotë migrim më i madh, rritje e numrit të konsumatorëve, ndërgjegjësim më i madh i organizatave korporative për përgjegjësitë e tyre shoqërore dhe ekologjike, nëpërmjet aktiviteteve për përgjegjësi shoqërore.

“Nga ana tjetër edhe ne institucionet duhet të ndryshojmë edhe programet tona në mënyrë që të ndihmojmë komunitetin e biznesit të përshtatet me këto ndryshime dhe t’i përgjigjet nevojës së vazhdueshme për edukim dhe trajnim të punonjësve të saj”, nënvizon mes tjerash ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ndryshe në këtë ngjarje përveç profesorëve të UEJL-it, njëherësh akademikët Abdylmenaf Bexheti dhe Izet Zeqiri të pranishëm kanë qenë edhe personalitete nga shtetet tjera të rajonit dhe botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat