Korrupsioni: Zaevi thotë se e luftojmë, Mickoski kërkon hetim të rastit të parcelës në Strumicë

Maqedonia

Korrupsioni: Zaevi thotë se e luftojmë, Mickoski kërkon hetim të rastit të parcelës në Strumicë

Më: 23 maj 2018 Në ora: 20:24
Pamje nga takimi

Pas thuajse dy dekada, mbahet debat i parë publik në TVM1, ku përballen Kryeministri i vendit dhe lideri i opozitës më të madhe në vend, respektivisht Zoran Zaev përballë Hristijan Mickoski.

Kërkesa për debat erdhi nga Mickoski, por që u pranua pa hezitim nga Kryeministri Zaev.

Ky debat pritet të jetë mjaft i nxehtë, sidomos pas dënimit të sotëm të Gruevskit me dy vite burg, në lëndën “Tanku”.

Në lidhje dënimin e Gruevskit, Kryeministri Zoran Zaev tha se sot situata është krejtësisht ndryshe në gjyqësi.

Sipas tij, sot kemi gjykata të lira, hetime të pavarura dhe punë më cilësore të gjykatave, krahasuar me periudhën e Gruevskit.

Ai thekson se këtu ka ndikuar shumë procesi reformues që ka ndërmarrë qeverisja që udhëhiqet nga ai vetë, duke shtuar se gjyqësia hapet plotësisht për qytetarët.

Në këtë drejtim, Zaevi përmend edhe gjykimin e tij, duke e konsideruar si transparent dhe të hapur, duke përmbyllur se Ligji duhet të vlej për të gjithë.

Ndryshe nga Zaev, Mickoski thotë se Zaevi është amnistuar tre herë, në tre procese të ndryshme gjyqësore, duke shtuar se nuk ka transparencë, pasi që nuk u lëshuan inçizimet ndaj gjykimit të Zaevit.

Mickoski thotë se pavarësia duhet të jetë reforma kryesore në gjyqësi, kurse tani ndodh e kundërta, nuk ka pavarësi të gjykatave, dhe se Zaevi ndikon në aktgjykimet e gjykatave.

Në lidhje me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Zaevi tha se sot në Maqedoni komentohet lirshëm, qytetarët reagojnë, kurse pushteti tërhiqet kur gabon diçka.

Në lidhje me firmat e familjes Zaev, kryeministri thotë se ato ekzisrojnë tash e 30 vite dhe se paguajnë taksa dhe respektojnë ligjet. Zaev thotë se opozita nuk ka ide, e as kreativitet që Qeverisë t’i propozohen dhe të zbatohen.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është agjendë e lartë e kësaj Qeverie, thotë Zaevi, dhe se secili që do gaboj para ligjit, duhet të jep përgjegjësi, e kush është i pastër, duhet që të lirohet.

Nga ana tjetër, lideri i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski thotë se realiteti është ndryshe, duke përmendur rastin e parcelës në Strumicës, që nga një person tjetër, tashmë ka kaluar në pronësi të vëllait të Zaevit.

Mickoski kërkon që Zaevi të shëtitë nëpër rrugët e vendit ku do të shihet se sa ka krim e korrupsion, duke shtuar se Zaevi nuk ka sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, por qeverisja e Mickoskit do ta bëjë.

Mickoski shtoi që të shkohet te prokurori publik për të vërtetuar gjithçka rreth pagesës së parcelës në Strumicë, dhe si ndodhi që e drejta e ndërtimit të kaloj te kompania e vëllait dhe kusheririt të kryeministrit Zaev.

Për Mickoskin, Maqedonia është kampione evropiane në korrupsion.

Kurse Zaec thotë se lirisht mund të hetohet rasti rreth parcelës në Strumicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat