OEMVP ndihmon kompanitë vendore për aplikim për mjete nga shtylla e tretë

Maqedonia

OEMVP ndihmon kompanitë vendore për aplikim për mjete nga shtylla e tretë

Më: 23 maj 2018 Në ora: 17:50
Oda Ekonomike e Maqedonisë

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) në bashkëpunim me Fondin për inovacione dhe zhvillim teknologjik, organizuan sot një seancë informative lidhur me thirrjen e hapur publike për parashtrimin e projekt propozimeve në kuadër të shtyllës së tretë nga Plani qeveritar për zhvillim ekonomik.

Drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT), Jovan Despotovski, tha se Plani është publikuar më 28 prill, dhe se aktualisht janë në fazën e konsultimeve intensive me të gjitha Odat Ekonomike në vend. Despotovski thotë se interesimi i kompanive është shumë i lartë, për çka flet numri prej 320 kompanive të mëdha, të mesme dhe të vogla që tashmë kanë marrë pakon për aplikim.

“Pres që deri në skadim të afatit, që është 11 qershori, do të kemi një numër shumë të lartë të kompanive të cilat do të shfaqin interesin e tyre për të shfrytëzuar mundësitë të cilat i ofron Plani për zhvillim ekonomik. Shuma e mjeteve të cilat qeveria i ka ndarë për këtë vit është 640 milionë denarë, të cilat planifikonim ti ndajmë përmes tre thirrjeve, por në bazë të interesimit, besoj se të gjitha mjetet do t’u ndahen kompanive”, tha Despotovski, sipas të cilit Odat Ekonomike do të jenë të përfshira në tërë procesin e vlerësimit të kompanive që kanë aplikuar.

Drejtori i OEMVP-së, Drilon Hiseni, tha se takimin me Despotovskin e kanë thirrur në mënyrë që të informojnë kompanitë anëtare të Odës së tyre, mbi procedurat dhe rregullativën ligjore se si të arrijnë më lehtë tek financat e parapara në kuadër të shtyllës së tretë nga Plani qeveritar për zhvillim ekonomik.

Kushtet e aplikimit si dhe kriteret sipas të cilave do të bëhet përzgjedhja u prezantuan nga drejtori i Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik, Despotovski, kurse në takim ishte ndarë hapësirë për pyetje të kompanive. Në këtë diskutim u detektuan problemet me të cilat përballen kompanitë gjatë plotësimit të aplikimeve dhe procedurat tjera të aplikimit, të cilat do të duhet të përmirësohen për të pasur një aplikim të suksesshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat