Nikolla Gruevski dënohet me dy vite burg

Maqedonia

Nikolla Gruevski dënohet me dy vite burg

Më: 23 maj 2018 Në ora: 13:44
Nikolla Gruevski

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim detyre në rastin e blerjen së një automjeti qeveritar në vlerë të 580 mijë eurove.

Ndihmës-ministri i punëve të Brendshme, Gjoko Popovski, është dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burgim ndërsa proces i veçantë gjyqësor për këtë rast është duke u zhvilluar edhe ndaj ish-Ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Akuza ka të bëjë me shkeljet ligjore në procesin e blerjes së automjetit të blinduar, Mercedes-Benz.

Gjykatësja, Dobrila Kacarska tha se Nikolla Gruevski kishte kërkuar nga ish-ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska të nisë procedurën për blerjen e veturës ndërsa kjo kishte nxitur Gjoko Popovskin që të favorizojë një kompani të afërt të saj në procedurat e tenderimit.

Gjykatësja tha se me shkeljet e bëra, Gruevski ka nënçmuar dhe fyer qytetarët meqë pas shpinës së tyre dhe në fshehtësi është pajisur me veturë sipas dëshirës së tij.

“Është nder të jesh bartës i funksionit, e në veçanti kryeministër. Legjitimitetin e ka marrë nga qytetarët andaj dhe duhet të kujdeset për interesat e tyre. Por, në vend të kësaj, ai i ka nënçmuar qytetarët”, ka deklaruar gjykatësja duke e shpallur fajtor Gruevskin dhe ish-zyrtarin e MPB-së.

Dënimi i ish-kryeministrit maqedon ka nxitur reagimin e partisë së tij VMRO DPMNE, e cila në shenjë revolte ka braktisur punimet e Kuvendit.

Një grup i itharëve të tij janë mbledhur para gjykatës për të shprehur indinjatën për dënimin e ish-kryeministrit.

Ndaj Gruevskit janë duket u zhvilluar edhe katër procese tjera gjyqësore, derisa më i rëndi vlerësohet të jetë procesi i koduar me emrin “Titanik”, në të cilin ai dhe shumë ish-zyrtarë tjerë të lartë akuzohen për mashtrime zgjedhore gjatë qeverisjes së tij në vitin 2014.

Proceset gjyqësore kundër ish-zyrtarëve, kanë për bazë aferën e përgjimeve prej nga edhe kanë dalë të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale, e cila ishte formuar për hetimet e keqpërdorimeve të bëra nga pushteti i kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat