“Maqedonia e Ilindenit”, Cipras njofton akterët politikë në Greqi

Maqedonia

“Maqedonia e Ilindenit”, Cipras njofton akterët politikë në Greqi

Më: 19 maj 2018 Në ora: 14:56
Aleksis Cipras

Propozimi “Maqedonia e Ilindenit” frustroi opozitën greke. Lideri i “Demokracisë së Re”, Kyriakos Micotakis dhe liderja e partisë “PASOK”, Fofi Genëmata pas bisedës telefonike me kryeministrin grek, Aleksis Cipras shprehën mospajtimin e tyre që fjala “Ilinden” të jetë pjesë e emrit të vendit.

Ky emër historikisht dhe drejtpërdrejtë lidhet me luftën për krijimin e popullit “maqedonas” dhe shtetit që përfshin Selanikun dhe shtrihet deri në Detin Egje. Cilado përmendje e Ilindenit në emrin e vendit fqinj, jo vetëm që nuk i jep fund irredentizmit të Shkupit, por përkundrazi e vërteton dhe e forcon atë. Andaj është e papranueshme qoftë edhe të vendoset si temë diskutimi – bënë me dije nga Demokracia e Re.

Shpresoj që Qeveria e Greqisë të mos negociojë për këtë emër – tha Fofi Genëmata, PASOK.

Edhe për Partinë Komuniste të Grekëve ky emër është i papranueshëm. Partia “Uniteti i qendrorëve” madje është kundër termit “Maqedoni”, ndërsa “Potami” do të marrë qëndrim pasi të shohë gjithë paketin e zgjidhjes së kontestit.

Për ta informuar rreth emrit, Kryeministri Cipras takoi Presidentin, Prokopis Pavlopulos. Në fillim të takimit Pavlopulos kishte theksuar se nevojitet konsensus i gjerë, ndërsa Cipras, se dëshiron zgjidhje të qëndrueshme që do t’i bëjë ballë kohës.

Forcat politike mund të kenë dallime mes vete, dallime këto legjitime, normale në një demokraci të vërtetë, por për çështjet tona më të mëdha, siç janë ato nacionale është i nevojshëm konsensus sa më i madh i mundshëm – deklaro Prokopis Pavlopulos, Presidenti i Greqisë.

Prandaj nuk bëjmë hapa të shpejtuar dhe kryesisht në çdo detaj i mbrojmë aspektet themelore të linjës nacionale për gjetjen e një emri të përbërë të përbashkët, që do të jetë për përdorim të përgjithshëm, edhe të jashtëm edhe të brendshëm, për çka parakusht është ndryshimi kushtetues, ndryshimi i emrit kushtetues por edhe ndryshime të tjera që do të garantojnë se do të eliminohet irredentizmi, që të tejkalohen pengesat mes dy popujve – deklaroi Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë.

Nga kabineti i Ciprasit, pa precizuar se cili është epilogu, vetëm njoftuan se kryeministri i kishte informuar liderët e partive politike se Qeveria greke nuk shkon në diskutime më specifike pa përmbushjen e kërkesës për emër të përbërë, erga omnes dhe ndryshim kushtetues si parakusht për integrimin e vendit në organizatat ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat