Vendos Gashi për Ministrin e Kulturës

Maqedonia

Vendos Gashi për Ministrin e Kulturës

Më: 18 maj 2018 Në ora: 00:47
Afrim Gashi

Ende mbetet i panjohur për opinionin publik emri i ministrit të ri të kulturës që pritet të dalë nga radhët e “Lëvizjes Besa”.

Nga partia e Afrim Gashit ende nuk kanë vendosur se kujt do t’ia besojnë këtë institucion.

Jo zyrtarisht TV21 nga burime të besueshme mëson se personi që do ta zëvendësojë ministrin e kulturës Allagjozovski është Rufat Alili.

Me aq sa TV21 ka mësuar, Alili është doktor shkencash ndërsa veprimtaria e tij shtrihet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ishte në krah të Afrim Gashit, në shkurt të 2018-tës, në Kongresin e Parë të “Lëvizjes Besa”, të mbajtur pas ndarjes së partisë në dy fraksione.

I kontaktuar nga TV21 për shanset që Rufat Alili të jetë ministër i ardhshëm i kulturës, zëdhënësi i Besës, Orhan Murtezani, tha se “të gjithë emrat që përmenden në opinion janë spekulime”.

Murtezani përmes telefonit gjithashtu na tha se “Besa” është në fazën e diskutimeve të brendshme dhe se ende nuk është arritur tek emri konkret që do ta drejtonte kulturën.

Duke mos pranuar të japë as emrat e personave potencial që mund të marrin postin e ministrit të kulturës, Murtezani tha se pritet që gjatë fundjavës “Besa” të arrijë marrëveshje për këtë çështje.

Deri më tani, ajo që dihet, është fakti se Zekirija Ibrahimi nuk është kandidat për ministër kulture.

“Gazetari: Zekirija Ibrahimi nuk është kandidat?

Afrim Gashi: Ai deklaroi se nuk është. Do të gjejmë shumë më të mirë… (të qeshura)”.

Ndryshimet e ministrave dhe zëvendësministrave po bëhen pas ftesës së kryeministrit Zoran Zaev ndaj “Besës” dhe PDSH-së për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës.

Dy ditë më parë, Kuvendi i PDSH-së pranoi ftesën e Zaevit për t’u futur në qeveri me premtimin e marrjes së Ministrisë pa resor për Investime të huaja që pritet të udhëhiqet nga Bardhyl Dauti si dhe pozitën e zëvendësministrit për transport dhe lidhje, në krye të së cilës do të jetë Musadik Beqiri.

Poashtu para dy ditësh, edhe “Besa” e Gashit pranoi të futet në koalicionin qeveritar, duke fituar kështu Ministrinë e Kulturës, por pa dhënë emër se kush do ta drejtojë atë.

Tashmë u bë e ditur se koalicionit do t’i bashkohet edhe Lidhja e Romëve e Amdi Bajramit, të cilit nuk do t’i jepet ndonjë post ministror, por ai do të udhëheqë me sektorë të tjerë në institucione publike. Bajam na tha se ende nuk ka biseduar me kryeministrin se cilët sektorë do t’i takojnë Lidhjes së romëve. Funksione drejtuese nëpër institucione do t’u takojnë edhe PDSH-së dhe Besës së Gashit, por ende nuk është bërë publike se kush çfarë pozicionesh do të marrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat