Edhe 12 çerdhe të reja në Maqedoni, asnjë për fëmijët shqiptarë

Maqedonia

Edhe 12 çerdhe të reja në Maqedoni, asnjë për fëmijët shqiptarë

Më: 15 maj 2018 Në ora: 23:24
Foto ilustrim

Rreth 8000 fëmijë në Maqedoni janë në listën e pritjes për regjistrim në kopshte, tregojnë të dhënat me të cilat disponon Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Prindërit e rinj ballafaqohen me probleme për regjistrim në kopshte dhe jo rrallë që fëmijët e tyre të regjistrohen presin edhe nga një vit. Problemi paraqitet për shkak të numrit të pamjaftueshëm të kopshteve apo kapaciteteve të tyre të vogla. Ai mund të tejkalohet me zgjerim të kapaciteteve të përhershme, por edhe ndërtimin e kopshteve të rejave.

Në fund të prillit të këtij viti, në 66 kopshte shtetërore në 55 komuna janë regjistruar rreth 36 mijë fëmijë. Intenca e shtetit është të rritet kapaciteti për fëmijët e përkujdesur në kopshtet për fëmijë, posaçërisht një vit para se të shkojnë në shkollë. Që kjo të realizohet, duhet të ndërtohen të reja, të zgjerohen kapacitetet aktuale, si dhe të punësohen përkujdesëse dhe edukatore të reja shtesë, diçka që e paralajmëroi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Kopshte të reja, sipas paralajmërimeve, duhet të ndërtohen me para të Bankës Botërore.

“Me Bankën Botërore, siç para pak kohe deklaroi ministri i Financave Dragan Tevdovski, shqyrtohet mundësia për bashkëpunim të ardhshëm. Një prej projekteve më të rëndësishme për të cilin është biseduar është ndihma në sferën sociale në lartësi prej 35 milionë dollarë për hapjen e kopshteve të reja dhe rinovimin e atyre ekzistuese. Nga MPPS theksojnë se në këtë fazë nuk mund të dalin me të dhëna në cilat komuna do të ndërtohen kopshte me mjete nga Banka Botërore për arsye se bëhen analiza edhe në bazë të raporteve- rezultateve të marra nga analizat dhe krijimin e listës prioritare në pajtim me numrin e fëmijëve dhe kapacitetet aktuale do të konfirmohet ku ka nevojë reale për ndërtim të kopshteve.

Megjithatë, 12 kopshtet e reja që duhet të ndërtohen këtë vit e për të cilët Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nga buxheti i saj ka ndarë 41.600.000 denarë për ndërtim, adaptim dhe pajisen e kopshteve për fëmijë, nuk parashihet asnjë në territor me shumicë shqiptare.

Të dhënat e MPPS-së tregojnë se hapje të kopshteve për fëmijë do të ketë në Konçe, Pllasnicë, Gradsko, Krivogashtan, Çeshinovë-Obleshevë, Vallandovë, Sveti Nikole në f. Gorobinci, Probishtip, në f. Kravari të Manastirit, në f. Marena të Kavadarit si dhe në Çuçer Sandevë. Gjithashtu, në fazë përfundimtare janë dhe objektet dedikuar për kopshte të fëmijëve në Zërnovci, Prilep, Çashkë, Kumanovë, Veles në fshatin Karasllari, Jegunoc në fshatin Preljubishte dhe Mavrovë – Ristushë në fshatin Skudrinje.

Problemi me regjistrimin dhe përkujdesin e fëmijëve është i dukshëm në territorin e qytetit të Shkupit dhe në rrethinë, ku funksionojnë 17 institucione për fëmijë – kopshte të fëmijëve. Lista të pritjes ka në pothuajse të gjitha komunat.

Në Haraçinë, me vite të tëra premtohet një kopsht për fëmijë, megjithëse assesi e njëjta të hapet. Njëjtë edhe në Studeniçan dhe Saraj, ku kërkesat e prindërve shqiptarë për t’i dërguar fëmijët në kopshte, janë të mëdha. Në Tetovë, qindra nxënës nga dy-tre vite presin në listë për t’u liruar një vend në ato pak kopshte që janë në qytet. Edhe në Strugë, Kërçovë e Kumanovë ekziston problemi i njëjtë. Në këto qytete, kopshtet aktuale janë me kapacitet shumë të vogël, ndërsa vetëm në lagjen e Kisella Vodës në Shkupës, ku funksionojnë dy kopshte, janë të regjistruar 2264 fëmijë, apo sa i gjithë kapaciteti i kopshteve në Gostivar dhe Tetovë.

Sa për ilustrim, në Komunën e Karposhit të Shkupit funksionojnë dhjetë kopshte me 1994 fëmijë të regjistruara në to, ndërsa në territorin e Komunës së Aerodromit ka dy kopshte fëmijësh: “Buba Mara” (Nusepashka) me pesë qendra (“Buba Mara”, “Pçelka 1”, “Pçelka 2”, “Sonce”, “Lavçe”, si dhe Qendra për zhvillim të hershëm të fëmijëve “Slonçe”) dhe “Srniçka” me gjashtë objekte (“Kalinka”, “Çekorçe”, “Izvorçe”, “Bambi”, “Crvenkapa” dhe “Lale”.

Në këtë komunë, është paraparë edhe ndërtimi i një kopshti tjetër të ri në lagjen Todor Çangov. Me qëllim rritjen e cilësisë të shërbimit në çdo objekt përveç granteve për punësim nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, Komuna e Aerodromit nga buxheti i saj ka siguruar 17 punësime plotësuese në kopshtin për fëmijë “Srniçka” dhe 15 në “Buba Mara” për vitin aktual.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat