Fillon dislokimi në tokë i largpërçuesve

Maqedonia

Fillon dislokimi në tokë i largpërçuesve

Më: 14 maj 2018 Në ora: 19:17

Largpërçuesit e rrjetit elektrik në shumë vendbanime në territorin e Maqedonisë ende vazhdojnë të jenë mbi sipërfaqe dhe nëpër shtylla elektrike. Pothuajse çdoherë kur ka reshje të shiut dhe erë të fuqishme, ka probleme me rrjetin elektrik nëpër vendbanimet e Tetovës dhe rrethinës, ku pikërisht për shkak se edhe në disa vende ka shtylla elektrike prej druri të vjetër. Fillimisht në territorin e Komunës së Bërvenicës ka filluar dislokimi i largpërçuesve në një gjatësi prej 500 metra, njofton Enver Pajaziti, kryetar i Komunës së Bërvenicës.

“Komuna e Bërvenicës në bashkëpunim me EVN-në filluan punimet për dislokimin e largpërçuesit nga lartë në atë nëntokësorë. Ky projekt do të realizohet në të gjitha vendbanimet e Komunës së Bërvenicës, duke filluar nga fshati Çellopek, në fshatin Tenovë, më pas do vazhdojmë edhe me vendbanimet tjera. Vlen të theksohet se Komuna e Bërvenicës është ndër komunat e para që ka filluar me dislokimin e largpërçuesve në ato nëntokësorë”, thotë Pajaziti. Megjithatë, banorët janë ankuar se ka vonesa në realizimin e punëve. “EVN-Maqedoni nuk është në gjendje të instaloj rrjetin elektrik në një gjatësi prej 15 metra, duke lënë të hapur kanalin për katër javë me radhë”, ankohet Bujar Bajrami, banor i fshatit Çellopek.

Megjithatë, nga Komuna e Bërvenicës arsyetohen se nuk ka zhagitje të punëve dhe se të njëjtat janë në rrjedhë e sipër. “Nuk është e vërtetë se ka zhagitje apo vonesa. Është hapur tërë kanali ku duhet të vendosen kabllot dhe të njëjtat të mbulohen. Por nuk është shkuar në variantin që për aq sa punohet, të mbyllen punët, por është hapur tërë kanali dhe vendosja e kabllove më pas, prandaj edhe ka ndonjëherë pengesa në komunikacion, por nuk ka vonesa”, shprehen nga Komuna e Bërvenicës. Megjithatë, momentalisht do të dislokohen vetëm largpërçuesit, por jo edhe rrjeti sekondar nëpër amvisëri.

“Momentalisht do të dislokohen vetëm largpërçuesit pasi që bëhet fjalë për rrjet kryesor. Kemi premtime se tërë rrjeti do të dislokohet pas katër apo pesë vitesh, sepse është një projekt që duhet të realizohet në më shumë vendbanime”, njoftojnë nga kjo komunë. Dislokimi financohet nga EVN-Maqedoni, ndërsa punët i kryen Komuna e Bërvenicës, bëjnë të ditur nga EVN-ja.

“Ekipet e EVN Elektrodistribuimi gjatë kësaj periudhe punojnë në rikonstruimin e rrjetit të tensionit të mesëm dhe të ulët në fshatin Çellopek. Po ashtu, në këtë fshat do të ndërtohet trafostacion i ri me çka dobi do të kenë banorët e këtij fshati. Ky projekt realizohet në bashkëpunim me Komunën e Bërvenicës. Puna në rrjet realizohet nga ekipet e EVN Elektrodistribuimi, ndërsa gropimet kryhen nga ana e Komunës”, tha Vjosa Selimi, zëdhënëse e EVN-së.

Përndryshe, në disa vendbanime të Tetovës dhe në brendi të qytetit kabllot e rrjetit elektrik kalojnë shumë pranë shtëpive, kurse për dislokimin e tyre duhet investim më i madh, një sërë procedurash për të marrë leje për punë nga ana e autoriteteve të komunës, ndërsa nuk ka asnjë paralajmërim as nga ana e shtetit se një projekt i këtillë më i madh do të fillonte të realizohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat