Arrihet marrëveshja për rikonstruktimin e qeverisë

Maqedonia

Arrihet marrëveshja për rikonstruktimin e qeverisë

Më: 10 maj 2018 Në ora: 23:14
Thaçi, Zaev, Gashi

Pas kombinimeve dhe taktizimeve të shumta, më në fund është arritur deri te ujdia që hap rrugën e zgjerimit të koalicionit qeverisës me partnerë të rinj. Një burim i besueshëm nga partitë e përfshira në bisedime, duke folur me kusht anonimiteti, i tha KDPolitik se LSDM dhe BDI janë pajtuar që pjesë e qeverisë të bëhen BESA e Afrim Gashit dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit. Të dyja partitë, që së bashku numërojnë 5 deputetë, do të marrin poste ministrore dhe në eshalonet tjera të pushtetit.

Partia e Gashit pritet të drejtojë Ministrinë e Kulturës, kurse ajo e Thaçit do të marrë postin e zv/kryeministrit për investime të huaja, funksion i cili është bosh që nga zgjedhja e Ramiz Merkos në pozitën e kryetarit të Strugës. Burimet thonë se për ministër të ri të Kulturës BESA e Shkupit pritet të propozojë Zeqirija Ibrahimin kurse PDSH ka gjasa të propozojë për ministër Bardhyl Dautin, ish-deputet dhe kandidat për kryetar të Tetovës në zgjedhjet e fundit lokale.

Ndërkohë, marrëveshja parasheh se BESË-s së Bilall Kasamit t’i ofrohen poste qeveritare nga eshaloni i dytë e më poshtë. Kjo, sipas burimeve, do të thotë poste zëvendësministrash, sekretarësh shtetërorë dhe drejtorësh të ndërmarrjeve shtetërore dhe publike. Kasami nuk e ka dhënë fjalën e fundit, por burime nga LSDM presin që edhe kjo parti të jetë pjesë e qeverisë.

Dy partnerët më të mëdhenj të koalicionit, LSDM e kryeministrit Zoran Zaev dhe BDI e Ali Ahmetit, janë marrë vesh që Ministria e Drejtësisë t’u kalojë Socialdemokratëve, kurse ajo e Arsimit ose e Bujqësisë të drejtohet nga Integristët. Drejtësia poashtu ka mbetur pa drejtues që nga dorëheqja e Bilent Salihut. Ky resor i rëndësishëm për reformat në gjyqësor është bërë atraktiv për LSDM, e cila në këmbim i ka ofruar BDI Arsimin ose Bujqësinë.

Me këtë riformatim, qeveria do të fitojë një shumicë parlamentare që do të numërojë 69 deputetë nga gjithsej 120. Kështu, LSDM me 49, BDI me 10, BESA e Gashit me 3, PDSH me 2, BESA e Kasamit me 2, RDK me 1 deputet dhe dy të pavarur (Amdi Bajram dhe Çedomir Sazdovski) do të tentojnë të bëjnë Parlamentin më funksional në drejtim të zbatimit të reformave. Kësaj shumice parlamentare pritet t’i bashkëngjiten edhe 3 deputetë të Partisë Socialiste dhe një i partisë së turqve etnik, të gjithë nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së. /KDPolitik

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat