Ligji për Gjuhët në Maqedoni/ Mes dilemave dhe të papriturave

Maqedonia

Ligji për Gjuhët në Maqedoni/ Mes dilemave dhe të papriturave

Më: 28 prill 2018 Në ora: 19:04
Ilustrim

Ligji për gjuhët për një kohë të pacaktuar nuk pritet të përcillet deri tek Gazeta Zyrtare me çka do të vonohet dhe zbatimi tij.

Kjo, pasi që Ligji të dërgohet për vlerësim deri tek Komisioni i Venedikut bazuar në marrëveshje politike mes dy partnerëve qeverisës LSDM-BDI, jo vetëm dispozitat për bankënotat dhe uniformat, por Ligji në tërësi me gjasë do të vlerësohet si antikushtetues nga Komisioni i Venedikut. 

Sipas burimeve jozyrtare qeveritare, është profesoresha universitare Tanja Karakamisheva, anëtare e Komisionit të Venedikut nga Maqedonia, ajo që ka lobuar fuqishëm deri tek anëtaret tjerë në kuptim të asaj se Ligji nuk është në pajtim me Kushtetutën e Maqedonisë.

Profesoresha së drejtës kushtetuese dhe sistemit politik në Fakultetin Juridik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Karakamisheva, njëherësh anëtare e Kryesisë së ngushtë të VMRO-së, është mbrojtës fanatike e kauzës së kësaj partie kundër Ligjit për shqipen. Mandatin për anëtare të Komisionit të Venedikut, Karakamisheva e ka marrë në janar të vitit 2018, ndërsa i përfundon në janar të vitit 2020.

“Kemi informata se Karakamisheva, si përfaqësuese e Maqedonisë në Komisionin e Venedikut, ka lobuar tek disa anëtarë që të mos mbështetet Ligji për gjuhët dhe të jepet vlerësim kundër-kushtetues për të njëjtin. Burimet tona nga Komisioni i Venedikut thonë se ka mendime të ndara rreth Ligjit për gjuhët dhe sugjerimet kanë qenë që të mos ngutemi me dërgimin e Ligjit, së pari në Gazetën Zyrtare, e më pas në Komisionin e Venedikut”, thonë në Qeveri.

Ndryshe, Karakamisheva kohë më parë përmes një statusi në Facebook ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Maqedonisë të udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, pikërisht lidhur me Ligjin e gjuhëve. Karakamisheva, e cila në opinion njihet si nacionaliste në kurriz të shqiptarëve, shkruan se, “nëse me forcë dhe pa dëshirën e qytetarëve ndryshohet emri, identiteti, gjuha dhe historia, atëherë përgatituni për një proces të gjatë dhe të mundimshëm gjyqësor në nivel botëror ku nuk do mund të ju shpëtojnë as BE as Shën BE”. 

Ajo ishte edhe një nga përkrahësit e protestave “Për një Maqedoni të përbashkët” kundër gjuhës shqipe.

Nga Qeveria ende janë të paqartë nëse Karakamisheva mund të zëvendësohet me ndonjë person tjetër para skadimit të mandatit të saj. Burime të afërta me partitë në pushtet thonë se përkundër asaj që Ligji nuk ka pengesa të hyj në fuqi, por se efekti politik dhe reperkusione të mundshme nga VMRO do të ishin të pritshme në rast se Ligji do të dërgohet në Gaztën Zyrtare dhe Komisioni i Venedikut do të jepte vlerësim negativ.

“Partitë në pushtet do të vlerësojnë më gjerësisht situatën rreth Ligjit për shqipen, meqë nuk është problemi që ai të përcillet deri tek Gazeta Zyrtare, por duhet pasur parasysh edhe atë se Qeveria siç është zotuar Ligjin mënjëherë ta dërgojë në Komisionin e Venedikut, dhe në rast vlerësimi negativ të mundshëm, janë të pritshme reperkusionet e VMRO-së në aspekt të reformave dhe zgjidhjes së çështjes së emrit”, thonë  burime të afërta me partitë në pushtet për gazetën Koha.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, dje ka përsëritur se do ta lëshojë Ligjin e gjuhëve për shpallje në Gazetën Zyrtare, por nuk saktësoi se kur do ta bëjë këtë. “Nuk jam i ngarkuar për kohën kur do ta lëshoj Ligjin në Gazetën zyrtare”, tha Xhaferi. Kushtetutën lidhur me mos nënshkrimin e dekretit për këtë ligj, sipas tij, e ka shkelur presidenti Gjorge Ivanov. I pyetur çfarë nëse ai thirret për përgjegjësi se pa nënshkrim të Ivanovit e ka dorëzuar ligjin në Gazetën zyrtare, kryetari i Parlamentit pohon se ai nuk do ta shkelë Kushtetutën dhe se dërgimi i Ligjit për shpallje nuk është vepër penale. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat