Identifikohen sulmuesit e Ziadin Selës

Maqedonia

Identifikohen sulmuesit e Ziadin Selës

Më: 27 prill 2018 Në ora: 20:49
Ziadin Sela

Incizimet nga kamerat e sigurisë së Kuvendit të Maqedonisë, por edhe nga mediat që ishin të pranishme atë ditë në Kuvend, u shikuan në seancën e sotme për tentim vrasje të liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Në incizimet shihet momenti kur turma arrin para qendrës për konferenca për shtyp të Kuvendit, dhe mundohet të kalojë sigurimin e Kuvendit. Mes tyre janë edhe dhjetë personat të cilët gjykata i ka identifikuar por edhe ata vet e kanë pranuar se kanë qenë të pranishëm në Kuvend atë ditë.

Në incizimet që prokuroria i siguroi nga mediat, shihet Ziadin Sela në këndin e djathtë të press qendrës, por në një pamje shihet se si një pjesë e turmës hedh sende të forta drejt vendit ku ndodhej ai. Mes deputetëve të cilët ishin në pjesën e pasme të pres qendrës ishte edhe Oliver Spasovski, i cili tani është ministër i punëve të brendshme.

Sot në debatin e organizuar nga Komiteti i Helsingut për të drejtat e njeriut, ai deklaroi se ndodhitë e vitit të kaluar në Kuvend janë tregues për keqpërdorimet që janë kryer në MPB për qëllime partiake.

“Të gjithë të kontribuojmë në ndërtimin e  një sistemi i cili do të garantojë  siguri në vend, procese demokratike për shkak se pa sistem përsëri u lihet hapësirë individëve që në moment të caktuar të ndodhen në pozitë të krijojnë sistem të tyre, me të cilin do të përmbushin interesat e tyre personale dhe partiake”, tha Spasovski.

Spasovski theksoi se dhuna në Kuvend fare nuk do të ndodhte, nëse kishte kontroll të jashtëm adekuat të policisë.

“Shumë gjëra do të ishin ndryshe ndërsa ndoshta edhe nuk do ta kishim 27 prillin nëse kishim mekanizëm të jashtëm të kontrollit, nëse do të kishim standarde sipas të cilëve do të silleshim ne. Sido qoftë, 27 prilli i vitit 2017 duhet të jetë mësim për ne. Mësim për institucionet, për bartësit e funksioneve, se punët duhet t‘i vendosim në rrugën e duhur  dhe të përforcojmë kapacitet demokratike të institucioneve”, tha Spasovski.

Në lidhje me dhunën në Kuvend  kur dhjetëra deputet dhe gazetarë u lënduan, nëntë persona u dënuan me dënim të kushtëzuar ndërsa me burg prej 4 viteve u dënua sulmuesi i deputetes së atëhershme Radmilla Sheqerinskës. Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, ka përgatitur edhe akuzë me të cilën janë përfshirë 28 persona të cilët akuzohen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues, ndërsa mes tyre janë edhe deputet të VMRO-DPMNE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat