Kuvendi shqyrton Raportin e Progresit, Zaev paralajmëron plane reformuese

Maqedonia

Kuvendi shqyrton Raportin e Progresit, Zaev paralajmëron plane reformuese

Më: 24 prill 2018 Në ora: 19:38
Foto nga takimi

Komisioni për çështje Evropiane, shqyrtoi raportin e progresit për Maqedoninë. Kryeministri Zoran Zaev, theksoi se pas rekomandimit të pakushtëzuar, vijojnë hapa konkret për vendin duke paralajmëruar formimin e planit të ri reformues.

Deri në sjelljen e vendimeve për fillimin e bisedimeve në Këshillin Evropian në qershor, do të punojmë intensivisht edhe në përgatitjen e strukturës negociuese e cila në emër të Qeverisë do të zhvillojë bisedime me BE-në për anëtarësim. Në Qeveri veçse janë duke u vendosur bazat e planit reformues “18” i cili kryesisht përfshin kërkesat e KE-së në zbatimit e ligjeve reformuese – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar theksoi nevojën e bashkëpunimit mes subjekteve dhe institucioneve.

Institucionet e pavarura dhe trupat rregullator kanë rëndësi të veçantë për çdo demokraci të konsoliduar. Duhet t’i jepet mundësi dhe hapësirë për t’i kryer punët e tyre në mënyrë të pavarur. Kuvendi ka detyrë thelbësorë për mbikëqyrje dhe kontroll – tha Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së.

Deputet e shumicës dhe opozitës shkëmbyen akuza për punën e Qeverisë.

Qytetarët janë dëshmitarë të institucioneve të dobëta dhe ngecjes ekonomike. Raporti dëshmon edhe luftën jo serioze ndaj krimit financiar dhe larjes së parave. Kjo Qeveri nuk tregoi aspak gatishmëri për luftë kundër krimit financiar – tha Nevenka Stamenkovska, Deputete e VMRO-DPMNE-së.

Për fat të keq, shifrat e papunësisë janë ende mjaft të larta. Gjendja e vështirë ekonomike në vend shumë vështirë po përmirësohet. Kjo gjendje sigurisht e ka ndihmuar edhe shpërnguljen e popullsisë e cila theksohet edhe në raport – deklaroi Afrim Gashi, Deputet i Lëvizjes Besa.

Për 10 vite u kthyer dhjetëra vite mbrapa dhe larg BE-së. U bëmë shtet i robëruar, i njohur për padrejtësi, keqpërdorime të Qeverisë, raste të montuara gjyqësore, institucione të zhytura dhe media të korruptuara – theksoi Tomisllav Tuntev, Deputet i LSDM-së.

Konstatimet nga raporti u miratuan unanimisht nga anëtarët e Komisionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat