Feja dominon në librat maqedonisht

Maqedonia

Feja dominon në librat maqedonisht

Më: 23 prill 2018 Në ora: 21:35
Ilustrim

Tekstet shkollore me të cilat nxënësit mësojnë gjuhën e tyre amtare, nga klasa e parë deri të pestën, janë kryesisht të çliruara nga stereotipet negative për të tjerët, me disa përjashtime shumë të rralla edhe atë kur kjo bëhet në tërthorazi, shkruan gazeta KOHA. Mirëpo, pavarësisht kësaj nuk janë të shpeshta as rastet të cilat promovojnë interaksion social, midis dy ose më shumë personave apo grupeve të ndryshme sipas përkatësisë etnike, fetare dhe gjinore e, që për shoqërinë multietnike si Maqedonia përbëjnë tregues të rëndësishëm për nivelin e bashkëjetesën së pjesëtarëve të kulturave të ndryshme.

Këta janë disa prej gjetjeve të hulumtimit “Multikulturalizmi dhe interkulturalizmi në tekstet shkollore prej klasës së parë deri në të pestën në arsimin fillor në Republikën e Maqedonisë” të realizuar nga Qendra për Dialog Nansen në Shkup (QDN) dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Është interesante se vetëm në librat e gjuhën maqedonase, patriotizmi apo komponenta e nxitjes së dashurisë ndaj atdheut lidhet në mënyrë eksplicite me Maqedoninë si njësi shtetërore territoriale. Në librat e gjuhës turke dhe serbe, thuajse nuk ekziston fare ky komponent, ndërsa në librat e gjuhën shqipe dashuria për Maqedoninë lidhet me pjesën perëndimore të saj. “Bukuritë e atdheut janë pasqyruar në një këngë të tekstit shkollor për klasën e tretë, që i përkushtohet Liqenit të Ohrit dhe Lumit Drini i Zi, si dhe përmes disa ilustrimeve të Malit Sharr, Shkupit, Tetovës dhe Ohrit”.
Tendenca më e theksuar e librave të gjuhës maqedonas, shqipe, turke dhe serbe është prezantimi i identitetit kulturor të popujve përkatës duke vënë në dukje historinë dhe veçoritë kombëtare tek të gjithë, ndërsa te maqedonasit dhe serbët edhe tiparin fetar.

Kështu, në planin e identitetit kombëtarë, nëpër librat e maqedonishtes u thuret lavde heronjve sipas përkatësive të caktuara etnike. Figura më dominonte te librat e gjuhës maqedonase është ajo e Goce Dellçevit, ndërsa te shqiptarët figura e Skënderbeut.
Sipas këtyre gjetjeve rezulton se “figurat historike të përfshira në tekstet shkollore të gjuhës maqedonase, kryesisht janë personalitete të rëndësishme nga e kaluara e popullit maqedonas, kryesisht revolucionarë të cilët kanë luftuar për çlirimin e Maqedonisë nga zgjedha e huaj. Më i pranishëm është Goce Dellçev”.

Ndërkaq, sikurse qëndron më tej në këtë hulumtim, përveç tij hasen edhe figura tjera, si Dame Gruev, Jane Sandanski apo iluministëve sllavë Kirilit dhe Metodit. Për librat në gjuhën shqipe thuhet e nga figurat historike hapësirë më e madhe i përkushtohet Skënderbeut, i pranishëm me pesë poezi dhe tregime. Prej figurave femërore në historinë shqiptare, janë prezantuar pionierja e arsimit shqip Sevasti Qiriazi – Dako dhe Nëna Tereza. Në librin e klasave të katërta gjen ven një poezi kushtuar flamurit shqiptar si dhe disa vargje nga himni shqiptar.

Shqiptarët janë të vetmit që në librat e tyre nuk kanë përmbajtje fetare. Edhe pse në pjesën dërmuese janë të besimit islam, askund në librat në gjuhën shqipe për fëmijët e moshës nga klasa e parë deri të pestën nuk përmenden figura dhe festa fetare.
“Habit fakti se, as në tekste dhe as në ilustrime nuk hasim shembuj sa u përket zakoneve gjatë kremtimit të festave të mëdha myslimane, siç është Bajrami”, thuhet mes tjerash në Konkluzionet për librat e gjuhës shqipe, të hulumtimit në fjalë.

Sakaq në Konkluzionet për librat e gjuhës maqedonase hulumtimi vëren se “Më të përfaqësuar janë tekstet, pyetjet, detyrat dhe ilustrimet të cilat kanë të bëjnë me identitetin kulturor të popullit maqedonas, i cili në mënyrë dominonte përfaqësohet përmes kremtimit të festave fetare Krishtlindjeve dhe Pashkëve”.
Për tekste e gjuhës serbe Konkluzionet janë se “përmbajtjet të cilat e potencojnë identitetin kulturor të serbëve kryesisht kanë të bëjnë me rëndësinë e gjuhës amtare, me krijimtarinë popullore dhe me disa figura nga historia serbe”.

Në këtë kontekst hapësirë më të madhe, thuhet si i është dedikuar themeluesit të kishës serbe Shën Savës, përderisa për tekstet në gjuhën turke, hulumtimi tregon se kremtimi i festës të Bajramit bëhet në kuadër të përshkrimit të traditave dhe zakoneve që praktikohen në familjen tipike turke edhe atë në dy raste, përmes dy poezive që gjenden në librin e klasës së tretë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat