Spasovski: MPB-ja është e vendosur të ballafaqohet me krimin dhe korrupsionin

Maqedonia

Spasovski: MPB-ja është e vendosur të ballafaqohet me krimin dhe korrupsionin

Më: 23 prill 2018 Në ora: 14:07
Oliver Spasovski

Duhet të jemi maksimalisht përgjegjës lidhur me mënyrën në të cilën harxhohen paratë e qytetarëve, porositi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me Raportin e Departamentit të Shtetit, ku, mes të tjerash vlerësohet ekzistimi i korrupsionit në Maqedoni në nivele të ndryshme.

“Nëse i marrim parasysh numrat lidhur me krimin, e para së gjithash në këtë periudhë kemi keqpërdorime të pozitës zyrtare dhe autorizimit për 111 për qind nga ajo që ka qenë paraprakisht. Kjo do të thotë se kemi hapur një front të gjerë të luftës kundër korrupsionit dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me ish strukturat të cilat kanë qenë pjesë e pushtetit, e të cilat gjithsesi për shkak të periudhës së gjatë kohore në pushtet kanë pasur mundësi më të madhe të bëjnë punë të tilla për të cilat nuk janë ndërmarrë masa”, tha Spasovski.

Ministri përmendi se gjatë dy javëve të kaluara disa nëpunës policorë janë sanksionuar për shkak të procedurave ilegale dhe shtoi se hapat e tilla janë dëshmi se MPB-ja është e vendosur të ballafaqohet me krimin dhe korrupsionin.

Lidhur me reformat në sektorin e sigurisë, Spasovski tha se MPB-ja në mënyrë të hollësishme i analizon të gjitha aspektet e vlerësuara në dokumentin e Departamentit të Shtetit dhe shtoi se për reformë të strukturave të sigurisë veçmë janë ndërmarrë hapa konkrete, janë harmonizuar ligje të cilat janë miratuar në Kuvend dhe se ato reforma duhet të funksionojnë deri nga fundi i vitit në pajtim me afatin e përmbajtur në ligjet.

Ai shtoi se është rritur kontrolli që bëhet në kuadër të vet MPB-së dhe se ai është i kënaqur nga ajo që deri tani është bërë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat