Komuna e Gostivarit ndau donacion 10 shtretër për NJTKZ

Maqedonia

Komuna e Gostivarit ndau donacion 10 shtretër për NJTKZ

Më: 20 prill 2018 Në ora: 23:25
Arben Taravari

Me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës për të punësuarit në Njësinë Territoriale Kundërzjarrit – Gostivar, Komuna e Gostivarit ndau donacion prej 10 shtretërish. Jusuf Bajrami koordinator i autorizuar nga Komuna e Gostivarit në NJTKZ, falënderoi kryetarin e komunës Arben Taravari për këtë donacion, duke bërë me dije se përmirësimi i kushteve të punës në këtë njësi, do të jetë një proces permanent, thuhet në kumtesë.

“Zjarrfikësit profesionalë, detyrat e tyre i kryejnë në turne prej 12 orësh dhe në përputhje me ligjin, gjatë orarit të punës mund edhe të pushojnë, respektivisht të flenë në periudha të caktuara. Shtretërit me të cilat dispononte NJTKZ ishin jashtë çdo standardi, kështu që në emër të zjarrfikësve, falënderoj kryetarin Taravari që kujdeset për të siguruar kushte sa më të mira që ata t’i kryejnë detyrat e tyre të punës”, theksoi koordinatori Bajrami.

Vlen të theksohet se paraprakisht NJTKZ-së së Gostivarit nga Republika e Turqisë iu dhuruan edhe uniforma pune për 5 zjarrfikës, ndërsa në mungesë të dotacioneve të mjaftueshme nga pushteti qendror, Komuna e Gostivarit do të ndajë mjete nga buxheti i vet për përmirësimin e kushteve të punës, kushteve teknike dhe hapësinore, me qëllim të mundësimit të funksionimit sa më efikas të personave të cilët kryejnë një punë kaq fisnike, siç është profesioni i zjarrfikësit.

Njësia Territoriale Kundërzjarrit – Gostivar, thuhet në kumtesë, mbulon gjithë territorin e komunës së Gostivarit dhe asaj të Vrapçishtit, si dhe një pjesë të komunës Mavrovë-Rostushë, respektivisht një territor me rreth 100 mijë banorë, ndërsa dotacionet që vijnë nga pushteti qendror, nuk plotësojnë as një të tretat e nevoja reale për funksionim të mirëfilltë të kësaj njësie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat