Zaev: Është fakt, kemi punuar dhe e meritojmë rekomandimin pozitiv

Maqedonia

Zaev: Është fakt, kemi punuar dhe e meritojmë rekomandimin pozitiv

Më: 16 prill 2018 Në ora: 19:01
Zoran Zaev dhe Mogherini

Komisioni Evropian nesër në Strasburg publikon raportin e progresit për Maqedoninë. Ndërkohë, mediat e huaja veç më kanë publikuar pjesë të këtij raporti dhe shkruajnë se Maqedonia dhe Shqipëria do të marrin rekomandim për fillim të negociatave qasëse për në BE. EU Observer nëpërmjet një artikulli ka paralajmëruar hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Duke  cituar pjesë ekskluzive të draftit, shkruhet: “Në vazhdën e progresit të arritur Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë”. EU Observer thotë se e njëjta formulë përdoret dhe për Maqedoninë, por sipas saj rekomandimi është fillimisht për Shqipërinë. Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federika Mogerini, sot para takimit me ministrat e Jashtëm të BE në Luksemburg, tha se do të diskutojnë për Ballkanin Perëndimor. Ajo tha se Ballkani paraqet rajon strategjik për Evropën. Po ashtu, ajo konfirmoi edhe vizitën e saj në këtë rajon, e cila fillon nesër në mbrëmje nga Tirana, për të vazhduar më tej në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.

FEDERIKA MOGERINI, PËRFAQËSUESE E LARTË E BE-SË

“Kemi diskutime gjithashtu edhe për Ballkanin Perëndimor,në këndvështrimin e bashkëpunimit për samitin e Sofias. Po ashtu, është e rëndësishme që nesër të sillet vendimi nga kolegët për pakon e zgjerimit, strategjinë e rajonit për Evropë, është Evropë edhe pse akoma nuk janë të gjithë pjesë e Evropës. Do të vizitoj rajonin prej nesër në mbrëmje. Do të kem mundësi që të shkëmbejë me ministrat pikëpamje se si të bashkëpunojmë më mirë me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor për siguri të përbashkët dhe prosperitet”.

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Zoran Zaev, deklaroi sot se bazuar në punën që ka bërë periudhën e kaluar, Maqedonia meriton rekomandim të pastër.

ZORAN ZAEV, KRYEMINSITËR I MAQEDONISË  

“E dini që unë dëshiroj të ndaj me opinionin atë që është fakt: fakt është se kemi punuar. Me të vërtet Maqedonia meriton rekomandim të pastër, janë me rëndësi fjalët në atë rekomandim, për shkak se kjo për ne do të jetë ose inkurajim ose dekurajim, është me rëndësi për të gjithë qytetarët, për gjithë ata që janë të kyçur në proceset reformuese. Pas këtij rekomandimi, Maqedonia, vazhdon me reformat. Dhe me të vërtet nëse konfirmohen ajo që është punuar, vetëm për atë presim të nominohet, nëse konfirmohet me fjalë të mira dhe marrim rekomandim të pastër besoj se kjo do të jetë e merituar dhe do të jetë motivim shtesë të vazhdojmë me reformat”.

Për shkak të ngecjes në reforma dhe krizës së vazhdueshme politike, Maqedonia dy vitet e fundit ka marrë rekomandim të kushtëzuar. Ndërsa, raportet përmbanin mjaft vërejte dhe kritika të ashpra, posaçërisht në pjesën e sundimit të së drejtës, sistemin gjyqësor, luftës kundër korrupsionit dhe lirinë e shprehjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat