Lypsarët vërshojnë ambientet e spitaleve

Maqedonia

Lypsarët vërshojnë ambientet e spitaleve

Më: 15 prill 2018 Në ora: 19:28
Ilustrim

Qytetarët ankohen për praninë e shtuar të kërkuesve të lëmoshës nëpër ambientet spitalore dhe ambulanta. Ata arrijnë të depërtojnë nëpër radhët e gjata të pacientëve, duke ngjallur shqetësim tek ta. Të anketuarit e Alsat kërkojnë nga autoritetet shëndetësore të ndërmarrin masa për mënjanimin e kësaj dukurie. Gjendje e njëjtë ekziston thuajse në të gjitha spitalet e vendit.

Të gjithë ata njerëz të cilët janë nëpër ambulanta janë të sëmurë. Po na pengojnë. Unë isha te reumatologjia dhe për një orë sa ndenja aty kaluan dy persona që kërkonin lëshomë. Ka sëmundje të ndryshme nervore, kardiovaskulare dhe faktikisht lypsari pengon aty. Pacientin që pret të shkojë te mjeku e bën nervoz.

Është shumë e dhimbshme kur lypsarët, të papastër, të palarë vijnë këtu në Spital ku ka njerëz të sëmurë, ku higjiena duhet të jetë në nivel të lartë. Mendoj se kjo duhet të ndalohet në njëfarë mënyre, të gjendet një zgjidhje ose atyre personave t’ju ndalohet hyrja.

Gjithsesi se pengojnë. Nuk është pamje e mirë.

Nuk është gjë e mirë kjo. Le të ketë lypsarë nëpër vende tjera, jo nëpër ambulanta. Mua më ka ndodhur, por nuk jap para sepse kam parë keqpërdorues.

Na pengojnë të them të drejtën. Kishte lartë tek ambulanta – shprehen të intervistuarit.

Tentimet e shumta të ALSAT për të marrë qëndrim nga Ministria e Shëndetësisë mbi këtë problem ishin të kota. Autoritetet shëndetësore tregohen të shurdhra mbi këtë dukuri, duke mos treguar nëse posedojnë strategji për neutralizimin e së njëjtës. Ndërkohë Ministria e Punës Sociale nuk posedon të dhëna të sakta se sa persona në gjithë vendin janë të regjistruar si lypsarë. Nga ky dikaster thonë se e kanë të vështirë regjistrimin e tyre pasi lëvizin nga njëri qytet në tjetrin. Thonë se gjatë këtij sezoni shumica e tyre transferohen në Ohër dhe Strugë, për të kërkuar lëmoshë nga turistët, por prapëseprapë mendohet se numri më i madh i tyre janë në Shkup. Për personat të cilët kërkojnë lëmoshe në vende publike parashihet gjobë nga 15-50 euro, sipas nenit 24 të Ligjit për shkelje të rendit dhe qetësisë publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat