Qeveria lavdërohet me reformat, ekspertët kritikojnë për moszbatimin e ligjeve

Maqedonia

Qeveria lavdërohet me reformat, ekspertët kritikojnë për moszbatimin e ligjeve

Më: 14 prill 2018 Në ora: 10:56
Qeveria e Maqedonisë

Miratimi i ligjeve për gjyqësorin dhe sigurinë nuk nënkupton edhe përmirësimin e gjendjes në këto sfera, pa nisjen e zbatimit në praktikë të këtyre zgjidhjeve ligjore.

Ekspertët thonë se Maqedonia edhe më parë ka miratuar ligje të mira, porse ato asnjëherë nuk kanë gjetur zbatim në praktikë, gjë që është evidentuar në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare.

Ligjet në gjyqësor janë shumë të rëndësishme pasi nga to varet në masë edhe procesi i integrimit euroatlantik të vendit, thotë njohësi i çështjeve juridike, Jove Tërpenovski.

Sipas tij, miratimi i ligjeve është vetëm një hap para, pasi ka ende shumë punë deri në përmbylljen e procesit reformues.

“Njerëzit e inkuadruar në sistemin e drejtësisë, së pari duhet të ndryshojnë mentalitetin. Ata duhet të jenë zbatues të përpiktë të ligjit, të drejtësisë dhe të kenë ndërgjegje të lartë. Nëse ndryshojnë mënyrën e të menduarit, do të ndryshojë edhe mënyra e punës së tyre dhe kjo nënkupton ngritjen e nivelit të gjyqësorit, që është ndër sferat më të kritikuara në Maqedoni”, thotë Tërpenovski.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, thotë se Qeveria ka plotësuar thuajse në tërësi planin 3-6-9 që ka të bëjë kryesisht me plotësimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, e ku bëjnë pjesë edhe ligjet për sigurinë, administratën publike, ndërsa pret që deri para publikimit të Raportit të progresit, më 17 prill, të miratohen edhe ligjet në gjyqësor, që janë shtyrë për disa ditë për shkak të nevojës për konsultime brenda opozitës.

“Komisioni Evropian është i impresionuar nga puna e qeverisë së re dhe në anën tjetër na kanë rekomanduar që të mos mendojmë se me ditën që përfundon plani 3-6-9 përfundojnë edhe obligimet tona karshi reformave apo nevojës për qeverisje të mirë. Pra, duhet të vazhdojmë me këtë dinamikë, përkushtim dhe të mos lejojmë që të përsëriten gabimet e së kaluarës dhe perspektiva e dyert e BE-së do të jenë të hapura”, thotë Osmani.

Por, drejtuesit e gjykatave kërkojnë zgjidhje ligjore, me të cilat do të evitohen presionet ndaj gjykatësve, që kanë qenë shumë të pranishme në dhjetë vitet e fundit.

Kryetari i Gjykatës Penale, Ivanov Xholev, thotë se kriteret që parashohin shkarkimin e gjyqtarëve janë abstrakte dhe joprecize, gjë që mund të çojnë në frikësimin e gjyqtarëve nga proceset e porositura.

Ai propozon që Shoqatat e gjykatësve përmes Këshillit të Etikës, të përfshihen në procedurën e shkarkimit të gjykatësve dhe të mos lejojë procedura tendencioze dhe të pabazuara ndaj tyre.

“Përshtypja e gjykatësve është se shumë prej procedurave kundër tyre, janë të porositura me qëllimin e vetëm, frikësimin e tyre. Për shembull ndaj meje që nga mesi i vitit 2015 e deri nga mesi i vitit 2017 ishin ngritur nëntë procedura për shkarkimin tim. Edhe pse të gjitha ishin ndërprerë, megjithatë unë kam ndjerë një presion të madh”, deklaron Xholev.

Se a janë zgjidhjet ligjore të miratuara dhe ato që pritet të miratohen, në përputhje të plotë me kërkesat apo standardet evropiane, do të dihet nga Raporti i progresit i Komisionit Evropian që do të publikohet më 17 prill. Një ditë më vonë në Maqedoni pritet të arrijë komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, dhe shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, e cila do të mbajë një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat