Kaklamanis: Maqedonia si vëzhguese në NATO

Maqedonia

Kaklamanis: Maqedonia si vëzhguese në NATO

Më: 7 prill 2018 Në ora: 09:04
Ilustrim

Athina zyrtare ka hedhur poshtë çdo mundësi për anëtarsimin e Maqedonisë në NATO, pa zgjidhur më parë çështjen e emrit. Zv/kryeparlamentari nga radhët e Demokracisë së Re, Nikitas Kaklamanis tha se në rast se emri nuk zgjidhet deri në samitin e NATO-s në korrik, Shkupi mund të jetë e shumta vëzhgues në Aleancën Veri-Atlantike. Ai gjithashtu kritikoi pushtetin që nuk e përfill opozitën për këtë çështje kaq të rëndësishme nacionale.

Parashikimi im është se në Samitin e NATO-s, pasi mendoj se deri atëherë nuk do të arrihet marrëveshje, ashtu siç kërkon Greqia, veçanërisht për shkak të ndryshimeve në Kushtetutë, mund të pranohet propozimi nga Qeveria e Ciprasit dhe Kamenosit,edhe pse nuk është arritur marrëveshje e plotë, por ta lëmë Shkupin si vëzhgues në NATO – tha Nikitas Kaklamanis, Demokracia e Re.

Nga ana tjetër, mediat greke raportojnë se bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit, Cipras po kërkojnë votat e 180 deputetëve për të mbështetur marrëveshjen eventuale që mund të arrihet për emrin. Por nuk dihet nëse kjo gjë do të ishte e mundur, derisa nga gjithsej 300 deputetë, 154 janë pjesë e shumicës parlamentare të Syrizas dhe Grekëve të Pavarur. Ndërsa vetë partia Grekët e Pavarur është deklaruar se nuk do të votonte një zgjidhje që do të përmbante termin Maqedoni. Pra nuk dihet nëse partitë opozitare do ta votonin zgjidhjen eventuale, respektivisht nëse marrëveshja eventuale do të mund të kalojë në kuvendin grek.

Ndërkaq ish ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere fton Greqinë të sillet me përgjegjësi dhe t’ia kthejë Maqedonisë pozitivisht gjestet që kjo e fundit i ka bërë për ndërtimin e mirë-besimit. Ai gjithsesi kërkon nga Greqia të mos e bllokojë fillimin e negociatave për anëtarësim në BE madje edhe nëse emri nuk do të zgjidhet deri në qershor.

Greqia ka përgjegjësi si vend anëtar në BE të gjejë zgjidhje, që do të kontribuojë në forcimin e besimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe që do të shërbejë si shembull për zgjidhjen e problemeve të tjera dypalëshe. Shpresojmë që zgjidhja përfundimtare që do të arrihet ta respektojë plotësisht identitetin maqedonas, gjuhën e saj, kulturën dhe trashëgiminë e saj të pasur, por që nuk do të dëmtonte dhe sulmonte trashëgiminë greke – deklaroi Ervan Fuere, Ish ambasador i BE-së në Maqedoni.

Takimi i radhës i dykryediplomatëve, Kocijas e Dimitrov pritet të mbahet në Ohër, më 12 prill. Në këtë takim pritet të shihet nëse palët ashtu siç u përfol do të arrinë të “hedhin hapin e madh” drejt zgjidhjes së emrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat