Dimitrov nuk i mblodhi bashkë liderët, i takoi veçmas dhe i njoftoi për bisedimet për emrin

Maqedonia

Dimitrov nuk i mblodhi bashkë liderët, i takoi veçmas dhe i njoftoi për bisedimet për emrin

Më: 2 prill 2018 Në ora: 20:48
Nikolla Dimitrov

Anulohet takimi i liderëve me kreun shtetëror dhe ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, ku ky i fundit duhej të raportonte për takimin e fundit me homologun e tij grek që u mbajt të premten në Vjenë dhe për rrjedhën e deritanishme në bisedimet për emrin.

Në vend të takimit të përbashkët të liderëve i cili dështoi, Dimitrov ka zhvilluar takime bilaterale me kryeministrin Zoran Zaev, presidentin Gjorgji Ivanov, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Kryeministri Zaev pas takimit me kreun e diplomacisë tha se raundi i fundit i bisedimeve në Vjenë e ka bërë më optimist për gjetjen e një zgjidhje për emrin. Ai paralajmëroi po ashtu se pas 10 prillit do të mbahet takimi i liderëve të partive më të mëdha për të dhënë drejtimet e reja për zhvillimin e bisedimeve.

“Sot në ora 9 pata takim një orësh me ministrin e punëve të jashtme Nikolla Dimitrov. I di të gjitha detajet dhe më vjen mirë që mund të konfirmoj se ka hapërim pozitiv në bisedime. Kjo gjithsesi është vetëm hapërim. Kushtëzimi në bisedime nënkupton se ka pasur marrëveshje edhe për ato çështje të cilat tani janë hapërim kur krejtësisht do të dakordohet çdo gjë. Kjo jep mundësi për një mënyrë të hapur vërtetë miqësore që dy ministrat lirshëm të bisedojnë për çdo segment të ndjeshmësisë së çështjeve që përfundimisht të gjindet zgjidhje për problemin e emrit. Nëse dikush më pyet a jap më shumë apo më pak optimist dhe pozitiv, unë them se jam më shumë pozitiv dhe optimist më i madh pas këtij takimi që Dimitrov kishte me Kocijas në Vjenë nën udhëheqjen e ndërmjetësit Metju Nimic”, thotë Zoran Zaev, Lider i LSDM-së.

Zaev tha se takimi informativ është planifikuar me kërkesë të opozitës dhe ftesat janë dorëzuar me kohë me qëllim që të planifikohen edhe festat ortodokse. Por, ai beson se dështimi i taimit të liderëve ka ardhur për shkak të angazhimeve shtesë të liderëve. Por, partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE ka demantuar mbajtjen e takimeve qofshin ato të liderëve ose bilaterale me shefin e diplomacisë lidhur me bisedimet për emrin.

“VMRO-DPMNE njofton opinionin se nuk do të ketë takim liderësh e as çfarë do lloj tjetër takimi lidhur me informatën rreth rrjedhës së bisedimeve për problemin që Republika e Greqisë ka me emrin tonë kushtetues. Shpërndarja e dezinformatave në opinion për këtë temë është skajshmërisht joserioze dhe ka për qëllim të defokusojë opinionin nga çështjet e vërteta në llogari të takimeve të tilla”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

Por, gjatë këtyre takimeve as shefi i diplomacisë dhe as kryeministri Zaev nuk kanë dhënë hollësi se për çfarë kanë arritur dakordim shefat e diplomacisë së dy vendeve në takimin e fundit në Vjenë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat