Shumë komuna shqiptare pa çerdhe, Carovska akuzon kryetarët e komunave

Maqedonia

Shumë komuna shqiptare pa çerdhe, Carovska akuzon kryetarët e komunave

Më: 31 mars 2018 Në ora: 19:35
Ilustrim

Albert Useini, nga Komuna e Zhelinës nga e hëna deri të premten, deri në Tetovë duhet t’i bëjë 10 kilometra për ta dërguar djalin e tij në kopsht.

Kjo është përditshmëria e këtij prindi nga Zhelina, i cili ka shfaqur shqetësimin se përse nuk ka çerdhe në vendbanimin e tij.

Ai thotë se për të dërguar një fëmijë në çerdhe ka harxhime të mëdha financiare dhe mezi mbulohet këto gjatë një muaji.

“Prej ditës së hënë deri te premten, duhet ta sjellim këtu djalin, sepse në Zhelinë, nuk kemi çerdhe. Jemi të detyruar që 5 ditë të javës ta sjellim djalin këtu. Harxhime janë çdo ditë nga Zhelina deri në Tetovë”, tha Useini.

Komuna e Zhelinës, thotë se ka bërë kërkesë tek Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për ndërtimin e çerdhes. Thonë se këtë vit do të nisë ndërtimi i çerdhes. Kryetari i komunës ka ndarë edhe vendin për ndërtimin e çerdhes.

“Tani kemi aplikuar me një shpallje në ministrin e punës dhe politikës sociale. Mendojmë të paktën që këtë vit të kemi konstruksion të kësaj çerdhe. Ku është e pritur shumë kohë nga qytetarët, ku kemi 30 mijë banorë dhe ende nuk ka çerdhe, dhe mendoj se jemi në fazën ku duhet të ndërtohet ajo çerdhe”, u shpreh Blerim Sejdiu, kryetar i Zhelinës.

Ministrja  e Sociales Milla Carovska, tha se kjo ministri për herë të parë ka bërë shpallje për të gjitha komunat, qe të aplikojnë me projekte të gatshme  për ndërtim. Ajo nuk saktësoi se kur këto komuna do të kenë çerdhe.

“Tashme disa prej atyre qe kanë projekte për ndërtim të paraqitura në Planin për furnizime publike të Ministrisë mund t’i nxisë të gjitha komunat që nuk kanë projekt të gatshëm të aplikojnë në Ministri. Qëllimi im si ministre edhe qëllimi i kryeministrit është të kemi sa më shume investime për zhvillimin e çerdheve dhe mbrojtjes së fëmijëve. Pse? Sepse çdo fëmijë i cili do të përfshihet në çerdhe do të ketë fillim më të mirë në arsim dhe do të kontribuojë më shume në të ardhmen për zhvillimin e shoqërisë”, u shpreh Carovska.

Aktualisht, në Republikën e Maqedonisë ka gjithsej 65 institucione Publike për fëmijë – çerdhe fëmijësh dhe 4 Qendra Publike për zhvillim të hershëm të fëmijëve. Gjithsej 69 Institucione Publike me 272 objekte janë shpërndarë në 59 komuna, si dhe 37 institucione private për fëmijë. Veprimtaria realizohet në gjithsej 309 objekte. Në 60, prej gjithsej 80 komunave ka institucione publike për  edukim të fëmijëve. Në 6 komuna ka çerdhe në objekte të improvizuara, ndërsa në 14 komuna nuk ka çerdhe fare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat