Vrasja e Almirit, epilogu në prill, Iliq në burg, Vishka: Ku janë OJQ-të që reagonin edhe për kafshët?

Maqedonia

Vrasja e Almirit, epilogu në prill, Iliq në burg, Vishka: Ku janë OJQ-të që reagonin edhe për kafshët?

Më: 25 mars 2018 Në ora: 20:30
Almir Aliu

Epilogu final i rastit “Almiri” pritet të mbyllet më 2 prill në Gjykatën Themelore të Kumanovës.

Në seancën e fundit gjyqësore është e paraparë të dëgjohet fjala përfundimtare e Stevan Pavllovskit, avokatit të të akuzuarit Boban Iliq, për vdekjen e 4 vjeçarit dhe fjala përfundimtare e palës mbrojtëse të familjes Aliu. Avokati Ibrahim Bajrami thotë se tani pas rikualifikimit të lëndës, më me prioritet e kanë që Sedat Aliu, Sami Demiri dhe Abdulla Aliu të lirohen nga vepra penale “dhunë” sesa do t’i shqiptohet dënimi të akuzuarit Boban Iliq. Avokati thotë se është e padrejtë heqja e akuzës “dhunë” ndaj Bojanit.

“Teoria jonë e rastit, e mbështetur në prova dhe fakte është që nuk kemi të bëjmë me kualifikim juridik të një ndeshje të komunikacionit, por kemi të bëjmë me një kualifikim juridik tjetër. Dhe masa e shqiptimit të dënimit është irelevante në qoftë se në një procedurë penale gabohet në përshkrimin e akuzës dhe në paraqitjen e kualifikimit juridik, me të cilën pretendohet që të dënohet i akuzuari”, tha Ibrahim Bajrami, Avokat i familjes Aliu.

Pas rikualifikimit të lëndës, aktivisti i iniciativës “Drejtësi për Almirin”, thotë se qytetarët kanë humbur besimin në organet e drejtësisë në Kumanovë, andaj shton se nuk pritet të ndahet drejtësia dhe as që do të protestojnë të hënën e ardhshme. Aktori Vishka bën krahasimin me reagimet e shoqërisë civile për vrasjen e kafshëve dhe heshtjen e tyre për rastin “Almiri”.

“Unë nuk mund ta kuptoj se si mundet të gjithë ato OJQ-të, si “Transparency International”, si Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut e gjithë të tjerët, askush nuk reagoi për rastin “Almiri”. Do të thotë kemi një rast ku u vra me paramendim një qen, prej personit që kishte urrejtje ndaj kafshëve, ndërsa këtu kemi të njëjtën gjë, me makinë shkel një fëmijë 4 vjeçar prej urrejtjes dhe askush asnjë fjalë nuk e thotë. A është vallë jeta e qenit më e çmuar për ata sesa jeta e Almirit”, tha Visar Vishka, Aktivist.

Aktivisti Vishka thotë se i akuzuari Boban Iliq edhe po të marrë dënimin maksimal prej 20 vjetësh për vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, ai përsëri nuk shprehet i kënaqur sepse, sipas tij, Iliq nuk jep përgjegjësi për akuzën vrasje me paramendim.

I akuzuari Boban Iliq u arrestua më 25 qershor të vitit 2016 në ditën e shtypjes së Almirit me makinën  e tij tek Ambulanca e Kumanovës. Ai u lirua nga masa e paraburgimit më 15 mars të këtij viti, pas rikualifikimit të lëndës nga Prokuroria publike dhe në momentin e parë të lirimit, para burgut të Shutkës kërcënoi ekipin e TV21. Por, avokatët thonë se i njëjti pritet të kthehet në burg, më 2 prill, në ditën kur t’i shqiptohet dënimit adekuat për veprën e kryer penale, duke vazhduar të mbetet prapa grilave në “Idrizovë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat