Rasti i Almirit, çelësi te Jovevski

Maqedonia

Rasti i Almirit, çelësi te Jovevski

Më: 24 mars 2018 Në ora: 19:30
Protesta per Almir Aliun

Cila mendje e shëndosh mund të pranojë një vendim të tillë, siç është në rast i Almirit. Më vjen turp si Ombudsman, të jetoj në një shoqëri ku prokurori, një vrasje, qoftë ajo edhe nga pakujdesia, ajo është vrasje, ta rikualifikojë në aksident komunikacion.

Kështu ka thënë për gazetën Koha, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, i cili ka përsëritur konstatimet e të deleguarve të Zyrës së tij se, gjatë procedimit të rastit Almir Aliu, janë shkelur disa procedura të rëndësishme gjyqësore.

“Shumë është e qartë. Janë kacafytur dhe ky e ka marrë veturën ta godas apo ta frikësojë prindin, dhe kështu ka mbytur fëmijën katërvjeçar. Tepër me rëndësi është veprimi i kryeprokurorit, i cili thotë se në shkresa shënon kështu e ashtu. Nëse je prokuror i fort, atëherë ndryshoje gjithë procedurën. Hap hetime për personat që e kanë kryer ekspertizën dhe të shohim çfarë do të dalë. I gjithë problemi qëndron se si i konceptojmë të gjitha këto punë. Jemi të zhgënjyer nga ky vendim. Kjo e shkatërron sistemin. Mos mendoni se ne kemi kryeprokuror të ri dhe kështu kthehet besimi i opinionit. Besueshmëria rritet, kthehet me vendime të cilat opinioni i pranon”, thotë Memeti, ndërsa siguron se këtë rast do ta përcjellin deri në fund.

Memeti shpreh indinjatë edhe për heqjen e aktakuzës për dhunë të vëllait të vrasësit Boban Iliq, Bojanit, i cili qartë shihet në filmime se me mjet të fortë, merr pjesë në zënkën me familjarët e Almirit.

“Shumë qartë do ta themi. Fillimisht kanë ekzistuar katër aktakuza, për veprën ‘dhunë’. Tre prej tyre për të afërmit e fëmijës së ndjerë, dhe njëra për vëllain e të akuzuarit. Tash për vëllain e kanë tërhequr aktakuzë, se ai nuk ka qenë dhunues. Ndërkohë, prokurorja djersitet dhe mundohet të tregojë se ky nuk ka pasur qëllim, por se ka qenë aksident. Ajo harron se gjatë marrjes së vendimit për dalje nga paraburgimi, pikërisht i akuzuari gjatë daljes nga burgu sillet në atë mënyrë të cilën të gjithë e pamë. Kjo nuk është dëshmi e mjaftueshme se vepra është ‘vrasje’?
A nuk është dëshmi kjo se askush nuk mund t’i bëjë më asgjë?”, thotë Memeti.

Më së paku, thotë Memeti, personi i cili është akuzuar për “vrasje” dhe tash për “aksident komunikacioni”, është dashur që pas daljes nga paraburgimi, të shkojë të kërkojë falje te familja e viktimës, të kërkojë falje nga gazetarët, se me të vërtet rasti ka qenë aksident.

“Dhe, jo gjatë largimit nga burgu të sillet me atë lloj arrogance. Prokurori duhet t’i merr parasysh këto gjëra. Të hapë procedurë të re. Fillimisht për prokuroren, e cila në mënyrë joprofesionale e procedon rastin. Si mundet të mos ekzistojë vetura, e cila është lëndë e vrasjes dhe tani të humbet? Dhe plotë dokumente tjera. Shoqërisë tonë nuk i ndihmojnë këto veprime. Sistemet nuk reformohen me njerëzit e njëjtë dhe struktura e cila gabimisht vepron”, thotë Memeti, duke potencuar se pikërisht Jovevski dhe punë e prokurorit është të grumbullojë hetime dhe prova për rastin, e jo siç ndodhi në këtë rast, të mos merren parasysh dëshmitë e palës mbrojtëse. “Nuk guxon që Prokurorisë t’i vonohen ekspertizat, për të cilat dëgjuam, ndërsa asnjëra nga dëshmitë e ofruara të palës mbrojtëse të mos merret parasysh”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat