“Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni në vitin 2020”

Maqedonia

“Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni në vitin 2020”

Më: 23 mars 2018 Në ora: 09:17
Foto ilustrim

Regjistrimi i popullsisë planifikohet të mbahet në vitin 2020 dhe do të shfrytëzohet metodë e kombinuar, që nënkupton njëkohësisht implementim në terren përmes intervistës në katër sy dhe shfrytëzim të të dhënave nga bazat e të dhënave të cilat tashmë ekzistojnë në shtet.

Këtë e thotë drejtori i Entit shtetëror për statistikë, Apostoll Simovski në intervistë për BIRN.

Ai pohon se nuk do të shfrytëzojë kurrfarë presionesh, posaçërisht jo politike, sepse vlerëson se regjistrimi nuk duhet të japë pasqyrë vetëm për gjendjen etnike në një shtet, por përfshin shumë segmente nga të cilat mund të shihet zhvillimi, stagnimi ose kthimi prapa i një shoqërie.

“Në vitin 2019 do të kemi zgjedhje presidenciale, ndërsa në vitin 2021 zgjedhje parlamentare, prandaj vendosëm se më mirë regjistrimi të bëhet në vitin 2020, kur nuk do të ketë turbulenca të mëdha politike”, thekson Simovski, duke shtuar se në vitin 2019 do të bëhej regjistrim provë në disa pjesë të vogla territoriale të shtetit, me qëllim që të testohet se si do të rrjedhë procesi.

Regjistrimi do të kushtonte 8,5 milionë euro dhe sipas njeriut të parë të Entit shtetëror për statistikë fusha për “përkatësinë etnike” aspak nuk duhet të jetë pjesë e materialit regjistrues, siç është rasti në shumë shtete.

“Nga pikëpamja statistikore, përkatësia etnike dhe fetare nuk luajnë kurrfarë roli, sepse këto janë kategori të ndryshueshme dhe unë angazhohem këto dy kategori të mos jenë pjesë e rregullores së ardhshme, por vetëm pjesa për gjuhën amë të personave të cilët do të regjistrohen. Gjuha që flitet në familje është kategori e obligueshme dhe ajo gjithsesi do ta regjistrojmë. Gjuha, para së gjithash, është e nevojshme për shkak të planifikimit të arsimit”, thotë Simovski.

Për regjistrimin e pasuksesshëm të vitit 2011, Simovski thekson se nëse nuk do të ishte ndërprerë, do të merrej numër joreal prej rreth tre milionë banorë.

“Ai ishte regjistrim politik, u formua Komisioni Shtetëror për Regjistrim, i cili ishte trup politik, ndërsa i cili konfom Ligjit të miratuar duhej ta zbatojë Regjistrimin, derisa ne si Ent për Statistikë praktikisht ishim vetëm dhënës të shërbimeve të atij Komisioni. Për dallim prej atëherë, tani ne do ta udhëheqim punën, ne do të jemi ata që do ta zbatojnë regjistrimin, konform Ligjit për statistikë shtetërore”, thekson Simovski.

Sipas tij, një pjesë e regjistrimit duhet të jenë edhe personat të cilët nuk jetojnë në vend, që të fitohet fotografi për numrin e mërgimtarëve.

“Pritjet e mia janë se se në regjistrim që vijon do të marrim fotografi për popullatën që nuk do të na pëlqejë. Do të zbulojmë se kemi shpërngulje të madhe nga shteti, që është realitet të cilin duhet ta pranojmë”, thotë Simovski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat