“Almiri”, Joveski: Protestat nuk na ndryshojnë mendjen

Maqedonia

“Almiri”, Joveski: Protestat nuk na ndryshojnë mendjen

Më: 20 mars 2018 Në ora: 19:18
Ljubomir Joveski

Protestat dhe reagimet në publik nuk do të ndikojnë ndaj Prokurorisë Publike që të rishqyrtojë vendimin e saj për rikualifikimin e veprës në rastin e Almir Aliut. Madje sipas kryeprokurorit, Ljubomir Joveski në vendimin e drejtë gjyqësor nuk do të luajnë rol as masat e mundshme disiplinore ndaj kolegëve shqiptar të cilët u distancuan nga rikualifikimi i veprës në rastin e Almirit 4 vjeçar nga Kumanova. Këshilli i Etikës i cili duhet të shqyrtojë distancimin e tyre akoma nuk është thirrur. Kryeprokurori Joveski në një prononcim për Alsat arsyeton qëndrimin e tij ndaj rikualifikimit. Ndonëse lënda ishte referuar para ardhjes tij në Prokurori dhe se ushtruesja e detyrës aso kohë, Liljana Spasovska kishte njoftuar organin e akuzës në Kumanovë se në lidhje me referimin do të vendoset pas zgjedhjes së Kryeprokurorit, Joveski edhe pas emërimit nuk mbajti asnjëherë kolegj ku do të shqyrtohej lënda e Almir Aliut. Sipas tij, për një veprim të tillë nuk kishte nevojë.

Unë konsiderova se nuk kishte nevojë për kolegj të ri pasi që çështja ishte mbyllur paraprakisht në kolegjin e Prokurorisë Publike. Unë kur erdha si kryeprokuror u njoftova me lëndën dhe për mua çështjet e vërtetuara nga kolegji paraprak nuk ishin kontestuese. Në këto rrethana ishte i panevojshëm kolegj i ri – deklaroi Ljubomir Joveski, Kryeprokuror.

I pyetur pse përse nuk u respektua neni 7 i ligjit për gjykatat, respektivisht pse nuk iu dha mundësia gjykatës që me të drejtë ekskluzive të vendose nëse ka pasur vrasje ose jo në këtë rast, Joveski duke u distancuar theksoi se Prokuroria nuk mund të shtrojë akuza alternative.

Prokuroria nuk mund të vendosë kërkesa alternative. Prokuroria Publike nuk mund të del para gjyqit me dy kualifikime, pra nëse jo vrasje atëherë vepër e rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Në rrethana të tilla gjyqi do të duhej të sillte vendim për të liruar të akuzuarin, veprim që do të ishte edhe më i dëmshëm – tha Ljubomir Joveski, Kryeprokuror.

Sipas tij faji është i mbrojtjes pse në procedurë nuk kanë kundërshtuar ekspertizat neuropsikiatrike të cilat përvec që ishin përfshirë me vonesë në akuzë, të njëjtat ishin përpiluar pa deklarimet e palës së dëmtuar, duke marrë kështu në konsideratë vetëm prononcimin e të akuzuarit Boban Iliq.

Ekspertizat neuropsikiatrike ashtu përgatiten. Pyetjet që ju po i bëni ka mundur t’i bëjë mbrojtja në seanca kryesore. Me sa di unë personat që kanë bërë ekspertiza janë dëgjuar detajisht në seanca kryesore përfshi edhe pyetjet e kryqëzuara – theksoi Ljubomir Joveski, Kryeprokuror.

Për të mërkurën janë paralajmëruar protesta para Qeverisë. Të njëjtat do të mbështeten edhe nga subjektet politike me qëllim që organet e ligjit të rishqyrtojnë veprimet e fundit në rastin e Almir Aliut. Seancën e fundit, Prokuroria Publike rikualifikoi veprën në rastin e Almirit nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, duke i mundësuar kështu të akuzuarit Boban Iliq lirimin nga masa e paraburgimit. Rikualifikimi vjen pas konstatimeve që ka bërë organi akuzës, se tek i akuzuari Boban Iliq ka ndikuar afekti në kryerjen e veprës edhe pse ka qenë në vetëdije për veprimet e tij. Prokurorja e lëndës, Suzana Kusigersa nuk ndryshoi akuzën për Sedat Aliun, Abdulla Aliun dhe Sami Demirit për të cilët kërkoi që gjykata t’i shpall fajtor për dhunë. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë pas zënkës që babai i tij dhe familjarët kishin me të akuzuarin Boban Iliq, paraprakisht në Qendrën e Urgjencës. Seanca e radhës u caktua për 2 prill ku edhe do të thuhen fjalët përfundimtare të mbrojtjes së tiIli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat