Ja sa do të kushtojë implementimi i Ligjit për Gjuhët

Maqedonia

Ja sa do të kushtojë implementimi i Ligjit për Gjuhët

Më: 17 mars 2018 Në ora: 18:28
Ilustrim

Zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve do t’i kushtojë qytetarët së paku 106 milionë denarë. Në vitin e parë 260 mijë euro nga buxheti i shtetit do të ndahen për themelimin e Agjencisë për zbatimin e gjuhës, detyra e së cilës do të jetë zbatimi i dispozitave ligjore, por edhe për Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve, i cili do të bëjë kontroll mbi atë se si zbatohet ky ligj.

“Projektligji do të shkaktojë implikime fiskale mbi Buxhetin e Republikës së Maqedonisë në vlerë prej 106 milionë denarësh, shuma e cila do të sigurohet nga buxheti i RM-së për vitin 2018. Mjetet e nevojshme për funksionimin e institucioneve të reja në vitin e parë vlerësohen në 16 milionë denarë. Do të nevojitet të sigurohen edhe 90 milionë denarë shtesë në buxhetin për vitin 2018, që do t’u shpërndahen përdoruesve të ndryshëm të buxhetit për implementimin e dispozitave të këtij projektligji”, propozim-ligj për përdorimin e gjuhëve.

Drejtori i Agjencisë, sipas ligjit, do të zgjidhet nga ana e Qeverisë, me mandat katërvjeçar dhe me të drejtën për rizgjedhje. Përveç përkthyesve të autorizuar gjyqësorë, në këtë trup do të punësohen edhe linguistë dhe filologë të diplomuar për gjuhën shqipe, si dhe lektorë të licencuar.

“Neni 8 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh se në paratë e letrës dhe në monedhat, si dhe në pullat postare do të përmbahen simbolet që e përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të qytetarëve që e flasin gjuhën maqedonase dhe gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve.”

Ligji parasheh se në Shkup dhe në komunat ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë tjetër, uniformat e policisë, të zjarrfikësve dhe të punëtorëve shëndetësorë të jenë në dy gjuhë. Në komunat e njëjta, emrat e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, përveç në gjuhën maqedonase do të shkruhen edhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e banorëve, por edhe në gjuhët e pranuara nga bashkësia ndërkombëtare.

“Në vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë dhe në aeroportet që gjenden në zonat ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase, emrat e institucioneve, shkrimet e tjera dhe tabelat rrugore shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabeti i saj”, Neni 16, paragrafi 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Menjëherë pas hyrjes së këtij ligji në fuqi, Qeveria do të zhvillojë program për ngritjen e vetëdijes publike rreth përdorimit të tij. Gjithashtu, është parashikuar edhe në afat prej një viti, dispozitat e ligjeve të tjera, të harmonizohen me dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat