Në duart e nxënësve, lektura të viteve 30-ta

Maqedonia

Në duart e nxënësve, lektura të viteve 30-ta

Më: 17 mars 2018 Në ora: 16:54
Ilustrim

“Treni në dëborë” i botuar në vitin 1930, “Pipi çorapegjata” e botuar për herë të parë në vitin 1945,“Zoki Poki” i botuar pas vitit 1960 dhe “Samari magjik” i botuar në vitin 1989, janë vetëm disa nga lektyrat që edhe pas një gjysmë shekulli vazhdojnë t’i lexojnë nxënësit e shkollave fillore.

Mësimdhënësit dhe bibliotekistët thonë se fondi i lektyrave dhe librave është shumë i dobët pavarësisht asaj se dekadën e fundit janë botuar me dhjetëra tituj të rijnë për mosha të ndryshme. Madje, mësimdhënësit kanë edhe një numër vërejtjesh për libra të caktuar të cilat janë vështirë të kuptueshme për moshën e fëmijëve.

"Dhe këto libra që janë, që ekzistonë këtu ose janë tituj të vjetër, janë të kohës, për shembull këtë e mbaj mend, “Samari magjik” kur unë kam qenë nxënësve, “Tregime partizane”, “Sutjeska”, ato kanë dal veç prej përdorimit, janë vetëm në numër këtu. Mu aty qëndron shkaku sepse edhe ato që janë, ose janë botime të vjetra edhe nuk është bë rifreskim. Megjithëse ka disa dy tre tituj, për shembull në klasën e pestë është “35 Maji”, “Një jetë në anije” që janë bukur abstrakte, bukur të pakapshme për atë moshë" – deklaroi Havushe Ramadani, bibliotekarja në sh.f “7 Marsi”.

Mësuesja e gjuhës shqipe, Fitore Qirezi sqaron për Alsat se fondi i librave për klasat e larta është për keqardhje. Siç thotë ajo, institucionet kompetente nuk përfillin kërkesat e shkollave për nevojën e lëktyrave shkollore. Madje, ajo rekomandon që përparësi tu jepet shkrimtarëve shqiptarë, pastaj atyre të huaj.

"Nuk kam asgjë kundër nga ata shkrimtarë të letërsisë botërore se edhe ata mësohen me kohë, mirëpo nxënësit e klasës së gjashtë, shtatë, flas për klasat e larta, duhet të jetë dhe duhet ti interesojë dhe duhet ta lexojë letërsinë shqipe që kemi një letërsi shumë të pasur.. Mirëpo, ne kohët e fundit jemi mësuar të lexojmë dhe ti kemi në punë dhe ti praktikojmë ato lektura që na vijnë si dhuratë apo që na vijnë si donacione nga organizata të ndryshme që na sjellin e jo shembull ato që i kemi të kërkuara ne" – deklaroi Fitore Qirezi, mësuese në sh.f “Kongresi I Manastirit”.

Lidhur me këtë çështje, disa herë ka ngritur zërin edhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë. Nga kjo e fundit thonë se plan programet mësimore kanë ndryshuar vazhdimisht ndërkohë që lëktyrat kanë mbetur të njëjta.

"Ato që janë lektyra për fëmijë, ato gjithmonë duhet të jenë aktuale, duhet të ndryshohen mirëpo çdo ndryshim duhet të përcillet me një debat publik, debat gjithë ato që janë të përfshirë, pra arsimtarët e gjuhës dhe mësuesit e ciklit të ulët, prej klasës së dytë deri në klasën e pestë, ata duhet të marrin pjesë kështu që të jepet një debat dhe të shqyrtohet se cilat libra, cilët tituj I përshtaten programit mësimor… Mirëpo, mos të jetë kjo përzgjedhje e njerëzve, e ministrisë apo njerëz të politikës" – tha Nuhi Dardhishta, LASH.

Më 1 mars, nga Ministria e Arsimit publikuan listën e re të lektyrave për shkollat fillore të reviduara gjatë këtij viti me kërkesë të ministres së Arsimit, Renata Deskoska. Kjo e fundit kohë më parë deklaroi se lista e lektyrave është freskuar me qëllim të nxisë interes tek nxënësit dhe përmbajtja e tyre të jetë në hap me trendet bashkëkohore. Pavarësisht revidimit, në listën e re të lektyrave vazhdojnë të mbeten emra të lektyrave para gjysmë shekulli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat