Avokati Bajrami: Shqiptarët të ruajnë qetësinë, vendimi i gjykatës do të ankimohet

Maqedonia

Avokati Bajrami: Shqiptarët të ruajnë qetësinë, vendimi i gjykatës do të ankimohet

Më: 16 mars 2018 Në ora: 12:30
Ibrahim Bajrami

Prokuroria Publike e Kumanovës dje rikualifikoi aktakuzën në rastin e Almir Aliut. Prokurorja e lëndës, Suaza Kusigerska kërkoi që i akuzuari i parë Boban Iliq, në vend të veprës për vrasje të ndiqet për “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurive në komunikacion”. Organi akuzës rikualifikimin e bazon në faktin se ekspertiza neuropsikiatrike është siguruar si dëshmi pas ngritjes së akuzës.

 “Bëhet fjalë gjithashtu për vepër të rëndë penale me të cilën parashikohet dënim me burg nga 4 deri në 20 vjet. Prokuroria Publike pret që Gjykata të sjell vendim të drejtë në bazë të fakteve dhe dëshmive të evidentuara në lëndë” ,tha Elizabeta Nedanovska, Zëdhënëse e Prokurorisë Publike.

Avokati i familjes Aliu, Ibrahim Bajrami thekson se si palë mbrojtëse sipas ligjit të procedurës penale që u lejon, kanë të drejtë të jemi të barabartë me prokurorinë në procedurë penale. Sipas tij në kuptimin e vërtetimit të gjendjes faktike kanë marrë edhe veprimet të cilët kanë menduar se e verifikojnë gjendjen faktike ashtu si ka qenë, as më mirë as më keq. “Është shumë e vërtetë dhe e qartë se në qoftë se një person gjatë drejtimit të mjetit motorik duke munguar elementi i dashjes dhe bën një aksident dhe aksidentalisht dikush e humb jetën në të, dhe këtu nuk ka dilemë, mirpo në këtë rast është trajektorja e lëvizjes me makinë nga momenti kur ka hy, kur ka dalë nga spitali deri në momentin e përplasjes janë komplet 1min e 50sekonda, edhe kjo është provë materiale e video incizimit që e konstaton edhe eksperti i palës tjetër, dmth mbrojtja e Bobanit ka bërë ekspertizë komunikacioni , brenda asaj ekspertize konstatohet dhe kjo e vërtetë, dhe brenda asaj ekspertize që unë ja shfaqa gjyqit, gjyktës që ja tregova, brenda asaj ekspertize eksperti i Bobanit, avokati i Bobanit që e ka angazhu, thotë që në këtë rast nuk mund të thuhet se është ndeshje komunikacioni dhe klasik, ekspert i komunikacionit të atij, ai që e ka angazhu, ai bën përshkrimin e rrethanave, e tani prokuroria e lartë, ajo që dha deklaratë dje ishte anëtarë i prokurorisë së lartë, Suzana, ajo është anëtare e prokurorisë së lartë”, thotë Bajrami. 

Ai tregon se dje ishin  prezent të prokurorisë së lartë dhe ata thonë që ky vendim i prokurores buron nga provat materiale gjegjësisht ekspertizat. 

Kjo sipas Ibraimit asnjëherë nuk ka ndodhë, është precedent  në procedurë penale kur një ekspertë për një ekspertizë  dhe ekspertimin e vet e mbështet mbi deklaratën e të akuzuarit, fillimisht ta sqarojmë. 

“Ajo Suzana Kosigeska bën urdhër për ekspertizë dhe ekspertëve u jepen vetëm deklaratat se ato prova materiale i ka patur, deklaratat e të akuzuarve dhe deklaratat e familjarëve të familjes Aliu dhe deklaratat që kanë dhën në prokurori familjarët Aliu, nuk ja ka dorëzu ekspertit kurse ja ka dorëzu vetëm deklaratat e Bobanit, Bojanit dhe Tanjës dhe ato thonë ne kemi kthyer djathtë nuk kemi pasur mundësi, bile Bobani në prokurori thotë se ka shku drejtë, në qoftë se ka shku drejtë atëherë ai ka pasur minimumi dhe dy, tre vende për t’iu shmang rastit dhe ktu është elementi i dashjes, njëherë një fjalë e vetëm e ndryshon gjithë ktë katrahur, një fjalë e vetme ! Por duhet të jet e vërtetë dhe e mbështetur me prova dhe ai në seancë kryesore thotë që nuk shkova drejtë gabim kam thënë në prokurori unë kam shkuar djathët dhe kishte një ramp na sulmun ndërsa askush nuk shihet që i ka sulmuar, na sulmuan dhe ndodhi ajo që ndodhi thot Bobani. Tani çka ndodh ?! Në kto rrethana propozuam dëshmitarë që ju e dini se gjykata nuk na i pranon, nuk ka ndodhë që në procedurë penale kur bëhet me propozim akuzë mos të pranohen dëshmitarët aq më tepër kur ata i ndihmojnë vërtetimit të gjendjes praktike. Iku ajo ! Në procedurë shtesë dëshmuese pranohen edhe një herë të pyetën Bojani dhe  ajo Tanja duke aluduar se ato do shkojnë në favor të akuzuarit, ato dhan deklarata që shkojnë në disfavor të tij po ajo Tanja tha ne te udhëkryqi parë kemi shku drejtë dhe diku lartë hasëm në një qorr sokak dhe kthyem prapa ndërsa aty ke mundësi ti shmangesh kthimit prapa në X vende, por është me rëndësi që ai te kthesa e parë nuk ka kthyer djathtë, por ka shkuar drejtë dhe është kthyer dhe aty dashja për ta kryer veprën penale. Edhe në momentin kushdo që ta sheh videon sepse tani është publike, shihet që nga ana e majtë nuk ka asnjë pengesë për të shkuar ai drejtë por ai e ndryshon traektorjen e lëvizjes në momentin e fundit”, shprehet Bajrami duke shtuar se ky do të jetë proces i gjatë dhe paralajmëron se me siguri avokati Alispahic do të ankimoj vendimin edhe në Gjykatën e Strazburit. 

Ndryshe, për shkak të rikualifikimit, me kërkesë të mbrojtjes, gjykata i ndërpreu paraburgimin Boban Iliqit. Pala e dëmtuar kërkoi masa kujdesi për të pamundësuar arratisjen e mundshme, por trupi gjykues nuk i pranoi. Akuza mbetet e pa ndryshuar për Sedat Aliun, Abdulla Aliun dhe Sami Demirin, respektivisht, Prokuroria Publike kërkon që të njëjtit të shpallen fajtorë për dhunë. Në mbarim të seancës kishte akuza verbale mes të akuzuarve për dhunë dhe Boban Iliqit bashkë me familjarët e tij. Rikualifikimi i veprës vjen pas referimit të lëndës në Prokurorinë e Lartë dhe më pas në Republikane ku polemikat e shumta shkuan aq larg sa Prokurorët Republikan u ndanë në baza etnike. Paralajmërimet e tilla nxitën protesta. Madje vetë kryeprokurori Ljubomir Joveski bëri thirrje për mos ndërhyrje në punën e Prokurorisë, duke shpjeguar nga foltorja e Kuvendit gjithashtu se deri tek rikualifikimi ka ardhur si pasojë e pamundësisë për të konstatuar paramendimin tek i akuzuari i parë. Protesta para gjykate kishte edhe sot. Dhjetëra qytetarë dhe familjar ishin mbledhur për t’i kujtuar Prokurorisë Publike siç thanë ata rivarrosjen e Almirit katër vjeçar. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë pas zënkës që babai i tij dhe familjarët kishin me të akuzuarin Boban Iliq, paraprakisht në Qendrën e Urgjencës. Seanca e radhës është caktuar për më 2 prill ku do të thuhen fjalët përfundimtare të mbrojtjes së Iliq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat