Kjo është mosha mesatare e të punësuarve në sektorin publik në Maqedoni

Maqedonia

Kjo është mosha mesatare e të punësuarve në sektorin publik në Maqedoni

Më: 13 mars 2018 Në ora: 09:03
Ilustrim

Mosha mesatare e të punësuarve në sektorin publik në Maqedoni është 45 vjeç. Një e treta apo afër 30 për qind e numrit të përgjithshëm të administratës janë të moshës 46 deri 55 vjeç, të moshës 56 deri 64 vjeç janë 21.4 për qind, pason grupmosha prej 36-45 vjeç me 25 për qind, si dhe grupmosha 26 deri 35 vjet me afër 21 për qind të totalit të punësuarve në sektorin publik, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, në numër më të vogël janë të përfaqësuar grupmoshat më të reja prej 18 deri 25 vjeç (2 për qind) dhe më të moshuar mbi 64 vjeç (0.52 për qind), tregojnë analizat e Ministrisë për Shoqëri informatike dhe Administratë për vitin 2016.

Analiza më tej tregon se mosha mesatare në ndërmarrjet publike është 48.39 vjet, në komunat është 44.5 vjet, në ministri është 42.5 vjet, në gjyqe është 45.5 vjet dhe në nivel të qeverisë është 36 vjet. Mosha mesatare më e re vërehet tek Sekretariatet e Qeverisë si rrjedhojë e moshës më të re të të punësuarve në Sekretariatin për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Në analizën e moshës nuk përfshihen të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të atë të Mbrojtjes.

“Në sektorin publik në Maqedoni janë aktive 1291 institucione , në të cilat marrëdhënie pune kanë lidhur 129.653 persona. Prej tyre, 19.342 persona janë të punësuar në Armatë, Agjencinë për Zbulim, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organet në përbërje të saj me status të personave të autorizuar për të cilat në regjistër mbahen të dhëna vetëm për numrin, por jo edhe për strukturën e tyre”, theksohet ndër ë tjerash në raportin vjetor për vitin 2016.

Andaj, në raportin vjetor për vitin 2016 është analizuar vetëm struktura e të dhënave për 110.311 të punësuar në sektorin publik, prej të cilave 59.111 janë gra, ndërsa 51.200 janë burra. Mosha mesatare e këtyre të punësuarve është 45.43 vjet. Mesatarja e moshës së grave të punësuara është 44.72 vjeç, ndërsa tek burrat është 46.25 vjeç. Nëntë të punësuar janë të moshës 19 vjeçare, ndërsa 21 të punësuar janë të moshës 67 vjeç.

Nga të gjithë të punësuarit, pa arsim janë 485 persona, 270 janë me gjysmë kualifikim, 412 janë të kualifikuar, 9236 janë me arsim fillor, 36.310 janë me arsim të mesëm, 4883 janë me kualifikim të lartë, 6515 janë me arsim të lartë, 48.322 janë me fakultet, 2107 janë magjistra dhe 1771 janë doktorë.

Sa i përket strukturës etnike të administratës, 82.900 janë maqedonas, 21.279 janë shqiptarë, 1781 janë turq, 1272 janë serb, 1215 janë romë, 479 janë boshnjakë 478 janë vlleh dhe 907 të punësuar janë të tjerë ose nuk janë deklaruar.

Numri më i madh i institucioneve apo 769 prej tyre janë nën kompetencat e komunave, ndërsa 522 institucione janë nën kompetencat e pushtetit qendror. Nga 1291 institucione në nivel shtetëror, pjesa më e madhe janë institucionet arsimore. Me fjalë të tjera, institucionet e ndryshme arsimore janë 538 që paraqet 41.67 për qind të institucioneve në tërë sektorin publik. Në kuadër të institucioneve të arsimit, dominojnë shkollat fillore me 353, pasojnë 107 shkolla të mesme, 57 fakultete dhe institucione të tjera të arsimit të lartë, 16 konvikte, etj. Në Maqedoni funksionojnë 129 ndërmarrje publike, prej të cilave 109 janë ndërmarrje për punë komunale, 8 për bujqësi dhe pylltari, 7 të transportit etj. Në arsim janë të punësuar 34.708 persona, në shëndetësi 19.991 persona, në punë dhe sociale 605 persona , në kulturë janë të punësuar 3237 persona etj. Në institucionet gjyqësore janë të punësuar 2893 persona . Prej tyre, 2384 janë të angazhuar në gjyqe, ndërsa 457 në prokuroritë publike.

Në ndërmarrjet publike janë të punësuar 17.872 persona të shpërndarë në tre grupe – edhe atë nëpunës administrativ (publik), ofrues të shërbimeve publike dhe persona ndihmës-teknik. Më së shumti të punësuar ka në ndërmarrjet e punëve komunale apo 10.065, pason transporti me 4188 të punësuar, bujqësia dhe pylltaria me 2551 të punësuar etj. Nga ana tjetër, në 85 komuna janë të punësuar 5677 persona.

Ven të theksohet se në veprimtaritë e bujqësisë, pylltarisë, Radio Televizionit të Maqedonisë dhe Radiodifuzionit të Maqedonisë, mbi 30 për qind e të punësuarve janë të moshës 56 deri 64 vjeç. Nga ana tjetër, moshë më të re sipas institucioneve me 29 vjet – ka shkolla e mesme e Sarajit dhe “Marnet”, apo rrjeti hulumtues akademik. Nga institucionet me më shumë se 100 të punësuar, moshë më të re të të punësuarve me 32.94 vjeç ka Sekretariati për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, shkolla e mesme e muzikës në Tetovë me 34 vjeç dhe Sekretariati për çështje evropiane me 35 vjeç. Nga institucionet me më shumë se 100 të punësuar, moshë më të madhe mesatare të të punësuarve me 52.71 vjet ka ndërmarrja publike “Infrastruktura e Maqedonisë”, pason Shtëpia e Shëndetit në Manastir me afër 52 vjeç dhe ndërmarrja komunale në Gostivar – afër 51 vjeç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat