Optimizëm për marrëveshjen e Këshillin

Maqedonia

Optimizëm për marrëveshjen e Këshillin

Më: 12 mars 2018 Në ora: 21:32
Këshilli

Burime në BDI-në e Tetovës thonë se është autorizuar kryetarja Arifi që të zhvillojë negociata dhe në këtë drejtim, shpresat janë që të arrihet marrëveshje, megjithatë kontesti mbetet tek posti i kryetarit të Këshillit, për të cilin kanë pretendime edhe partitë opozitare

Në fund të muajit mars, kur edhe është afati i fundit për formimin e shumicës në Këshillat e komunave, pritet të përfundojë ngërçi edhe në Këshillin e Komunës së Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Komuna e Tetovës vazhdon të funksionojë pa Këshillin komunal, respektivisht pa krijimin e shumicës. Kryetarja e Komunës, Teuta Arifi, megjithatë shpreson se deri në fund të muajit do të ketë marrëveshje, pa dhënë detaje se me cilin apo cilët subjekte do të krijohet kjo shumicë.

“Në fund të muajit mars presim të arrijmë marrëveshje për krijimin e shumicës në Këshillin e Komunës së Tetovës. Edhe njëherë po e them se atmosfera në të cilën zhvillohet ky proces është konstruktive dhe në fund të muajit mars të fillojë të funksionojë Këshilli normalisht. Siç e dini, Këshilli ka mbajtur seanca ku ato janë udhëhequr nga kryesuesi më i moshuar dhe besoj se do të arrijmë të zgjidhim edhe këtë problem”, deklaroi Arifi. Lidhur me mosmbajtjen e seancës solemne për shënimin e Ditës së Komunës së Tetovës, Arifi tha se seanca e tillë solemne është e udhës që të udhëhiqet nga ana e kryetarit të zgjedhur, kurse për raste të jashtëzakonshme – seancën mund ta udhëheq edhe kryesuesi më i vjetër.

“Mendojmë se është më mirë që një mbledhje solemne të udhëhiqet nga kryetar i zgjedhur, kurse në raste tjera kur ka pika urgjente, tema urgjente… faktikisht seancat mund të udhëhiqen edhe nga ana e kryesuesit më të vjetër, kurse kur bëhet fjalë për solemnitet, atëherë ato edhe mund të presin derisa nuk mund të zgjidhen çështjet e tjera”, tha Arifi. Sipas burimeve brenda kampit të këshilltarëve të BDI-së, janë duke u zhvilluar negociata intensive për të arritur një marrëveshje për krijimin e një shumice në Këshillin e Komunës së Tetovës. Sipas këtyre burimeve, BDI e ka autorizuar kryetaren Arifi që të zhvillojë negociata dhe në këtë drejtim, shpresat janë që të arrihet marrëveshje, megjithatë kontesti mbetet tek posti i kryetarit të Këshillit, për të cilin kanë pretendime edhe partitë opozitare.

Po ashtu, nga BDI thonë se bisedimet nuk kanë të bëjnë me ndonjë koalicionim të mundshëm në nivel qendror, por vetëm në nivel lokal. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të shkohet në zgjedhje të reja për Këshillin e Komunës së Tetovës, nëse deri më 31 mars nuk arrihet marrëveshje. Fillimisht kishte një përpjekje që të krijohet shumicë, kur kryetar Këshilli u zgjodh, Adnan Bilalli nga PDSH, por më pas u konstatua se zgjedhja e tij nuk ishte legjitime. Përndryshe, me vendim të Qeverisë, për të mos u bllokuar puna në komunë, Ministria e Financave e ka pranuar Buxhetin e Komunës së Tetovës, i cili kohë më parë kaloi me shumicë votash, por pa nënshkrim të kryetarit të Këshillit.

Probleme të këtilla me Këshillat komunale, gjegjësisht formimin e shumicës ka edhe në Komunën e Gostivarit dhe të Tearcës. Në ndërkohë, mos krijimi i shumicës në Këshillin e Komunës së Tetovës, ka bërë që deri më tani – asnjë punë në sferën e infrastrukturës të fillojë, sepse ende nuk ka kaluar edhe programi vjetor për punë në Këshill. Rikujtojmë se edhe para katër vitesh, BDI kishte problem për krijimin e shumicës në Këshillin e Komunës së Tetovës me VMRO-në. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat