Pritet ndryshimi i Ligjit të lojërave të fatit në Maqedoni

Maqedonia

Pritet ndryshimi i Ligjit të lojërave të fatit në Maqedoni

Më: 11 mars 2018 Në ora: 19:47
Ilustrim

Prania e fëmijëve nëpër vendet ku lejohen vetëm për të rritur, sa vjen e shtohet. Pika të lojërave të fatit mund të hasësh kudo nëpër qytetet e Maqedonisë, por sipas shoqatave arsimore, ato nuk duhet të gjenden afër shkollave.

Samet Jahiu nga LASH në Kumanovë thotë se kjo ka bërë që fëmijët të kenë qasje edhe nëpër kazino ose lojëra të fatit. Ata kanë përpiluar një kërkesë për ndryshimin e ligjit për lojërat e fatit, që ato të dislokohen jashtë vendbanimeve. Ai thotë se kërkesa është dërguar në Kuvendi dhe Qeveri, përkatësisht tek Ministria e Arsimit, por, thotë se ende nuk kanë marrë përgjigje.

“Kemi bërë kërkesë për arsye se ato kazino gjenden shumë afër objekteve shkollore, ku çdo ditë nxënësit kalojnë aty. Sipas mendimit tonë ato objekte nuk e kanë vendin aty, prandaj kemi bërë kërkesë që të ndryshoj ligji i lojërave të fatit. Ne nuk mund të vendosim për fatin e tyre, por ligji të ndryshohet që mos të ketë lokale të tilla afër shkollave”, tha Samet Jahiu, Kryetar i LASH “Naim Frashëri”.

Autoritetet nga pushteti lokal thonë se nuk është në duart e tyre për të vendosur, derisa të bëhet ndryshimi i ligjit. Një iniciativë e marrë nga Komuna e Vrapçishtit për të dislokuar bizneset e kumarit nga vendet e banuara, ka nxitur edhe protestë të banorëve vendas. Me fjalë shprehet kundër edhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, por thotë se komuna zbaton ligjet, ndonëse ndonjëherë janë kundër vullnetit të qytetarëve.

Nga Ministria e Arsimit thonë se kanë marrë kërkesën dhe po punojnë në shqyrtimin e saj që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të përpilojnë një draft të ndryshimeve, të disa prej dispozitave ligjore, për të adresuar në Kryeministri, me qëllim që ekzekutivi t’i drejtohet Kuvendit me propozim-ligj të ri për lojërat e fatit.

Ligji aktual parasheh se objektet e bizneseve private ku ushtrohen aktivitete për lojëra të fatit, nuk mund të jenë ngjitur me oborrin e institucioneve arsimore. Por, kjo nuk është e mjaftueshme për shoqatën e arsimtarëve, pasi që anembanë shkollave fillore ose të mesme, në një rreze më pak se 300 metra janë të mbushura me kazino dhe bastore sportive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat