Kocijas, optimist për zgjidhjen e çështjes së emrit

Maqedonia

Kocijas, optimist për zgjidhjen e çështjes së emrit

Më: 11 mars 2018 Në ora: 16:36
Nikos Kocijas

Është koha për zgjidhjen e çështjes së emrit, tani që duket se është hapur një dritare e mundësisë, kështu ka thënë me optimizën shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocijas, në një intervistë për gazetën greke, Documento. Kocijas gjithsesi sqaroi se ndryshimet kushtetuese janë parakusht për një zgjidhje erga omnes.

Ndryshimi i Kushtetutës nënkupton implementim “erga omnes”, respektivisht përdorim të emrit në të gjitha rastet, si për përdorim ndërkombëtar ashtu edhe për përdorim të brendshëm dhe shmangie të mosmarrëveshjeve që mund të ndodhin në të ardhmen nëse nuk ndryshon Kushtetuta. Së dyti, mënjanohet mundësia që në të ardhmen një Qeveri tjetër t’i kërkojë llogari vendit fqinj për dhunë ndaj Kushtetutës nëse marrëveshja ndërkombëtare do të “devijojë” nga parashikimet – tha Nikos Kocijas, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Kocijas ndër tjerash iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës për “diplomaci sekrete”, duke thënë se Qeveria i është përgjigjur të gjitha kërkesave për informata në mënyrë adekuate. Ai shprehu dyshimin se opozita nuk dëshiron që problemi të zgjidhet dhe se kjo është thellësisht e papërgjegjshme. Së fundmi, liderja e Lëvizjes Panhelenike Socialiste (PASOK), Fofi Genëmata kritikoi dy partitë e koalicionit qeveritar që nuk arrijnë të kenë një qëndrim të përbashkët ndaj siç u shpreh ajo “provokimeve të Shkupit”. Ndërkaq derisa qëndrimi i Shkupit zyrtar është se nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese nga partia më e madhe opozitare, VMRO DPMNE-ja vazhdimisht përsërisin qëndrimin se në negociatat me Republikën e Greqisë nuk duhet të preket në identitet, gjuhë dhe Kushtetutë, sepse ajo do të ishte shkatërruese për shtetin tonë.

Përndryshe, vizitës së paralajmëruar të shefit të diplomacisë greke, Kocijas në Shkup do t’i paraprijë vizita e ndihmës sekretarit shtetëror amerikan për Evropë dhe Euroazi, Ves Miçel. Miçel të martën do të jetë mysafir i kryeministrit, Zoran Zaev, konfirmojnë nga Qeveria, por pa shpalosur shkakun e së njëjtës, me arsyetimin se kjo informatë duhet të burojë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Gjithsesi ekspertët besojnë se zyrtari i lartë amerikan do të sjellë mesazhe për çështjen e emrit dhe të reformave.

Vjen pikërisht në momentin e duhur dhe ky është një sinjal shumë i fortë se Maqedonia po hy në analet e zgjidhjes së emrit të saj, pikërisht kontestit me Greqinë dhe kjo pa mëdyshje paraqet çështjen kryesore për të cilën vjen zv/sekretari. Por jo vetëm kjo. (1:03-1:20) Pa mëdyshje se ajo do të reflektojë edhe në çështje të tjera që kanë të bëjnë ende me procesin e stabilizimit politik të këtij shteti, në radhë të parë me reformat të cilat duhet të ndodhin sidhe me relaksimin e marrëdhënieve ndër-etnike në shtet – deklaroi Mersim Maksuti, profesor universitar.

Për Maksutin zyrtarët amerikan rëndomë vijnë në kohëra krizash dhe janë vendimtarë për dalje nga të njëjtat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat