Volfer: Ndjehet klima pozitive në Maqedoni

Maqedonia

Volfer: Ndjehet klima pozitive në Maqedoni

Më: 10 mars 2018 Në ora: 11:48
ilustrim

Austria e mbështet fuqishëm Maqedoninë në rrugën eurointegruese, si dhe vendet tjera në rajon, në interes të prosperitetit dhe stabilitetit të të gjithë rajonit, porositën sot diplomatët austriakë në takimin me kryeministrin Zoran Zaev.

Drejtuesi i Sektorit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë austriake për Evropën, Klaus Volfer, i cili e kryesoi delegacionin, vlerësoi se ndjehet klimë pozitive në vend.

Kryeministri Zaev tha se për Maqedoninë është me rëndësi të madhe dhe mesazh i fuqishëm inkurajues mbështetja që e merr shteti nga vendet mike nga BE-ja, siç është Austria.

“I bëjmë të gjitha reformat e nevojshme, në jurisprudencë, administratën publike, shërbimet sekrete, duke i përfshirë të gjitha palët e prekura dhe opozitën. Ndërtojmë miqësi në fqinjësi. Pas marrëveshjes me Republikën e Bullgarisë, jemi qasur edhe në proces të ndërtimit të besimit dhe dialogut më aktiv me Republikën e Greqisë, Pritjet tona janë që këto përpjekje të vlerësohen dhe shteti ynë në pranverë të marrë rekomandim të pastër nga BE-ja, ndërsa gjatë kryesimit austriak edhe datë për fillimin e bisedimeve me BE-në”, tha Zaev.

Ai shtoi se për Maqedoninë, BE-ja dhe NATO-ja do të thonë ekonomi, rroga më të larta, vende të reja pune për qytetarët, ndërsa dëshmi për këtë janë lëvizjet në planin investues, që tashmë rezultojnë me marrëveshje konkrete për investim në Maqedoni.

Në takim është shprehur pajtueshmëri se Maqedonia, ndërsa edhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë momentin pozitiv, të punojnë në reformat dhe t’i zgjidhin çështjet dypalëshe që të bëhen pjesë e BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat