Osmani: Negociatat për emrin, në fazë kritike

Maqedonia

Osmani: Negociatat për emrin, në fazë kritike

Më: 9 mars 2018 Në ora: 15:30
Bujar Osmani

Javën e ardhshme shefi i diplomacies greke, Nikos Kocijas do të aterojë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, konfirmon për Alsat, zv/kryeministri Bujar Osmani. Osmani vlerëson se negociatat janë në fazë kritike dhe apelon për inkuadrim të konstant të të gjitha palëve përfshirë edhe komunitetin ndërkombëtar dhe i fton që të japin oferta deri sa të gjendet një zgjidhe e pranueshme për të dyja palët.

 Mendoj se ky komunikim i drejtpërdrejtë është shumë i rëndësishëm, pa paragjykuar se çka do të jetë epilogu i bisedimeve. Por natyrisht nuk mund të ketë zgjidhje pa kontakte të përditshme dhe përfshirje të të gjitha palëve për të ndihmuar këtë proces. Ne tani jemi në fazën më kritike të procesit dhe këto periudha janë zakonisht më të vështirat për t’u tejkaluar dhe këtu gjithsecili mund të ndihmojë dhe të jep kontributin e vetë -deklaroi  Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Nga ana tjetër, në Parlamentin grek u zhvillua debat i ashpër mes kryeministrit, Aleksis Cipras dhe liderit të opozitës greke, Kyriakos Micotakis, për emrin. Micotakis akuzonte Ciprasin se pa ndryshime kushtetuese negociatat për emrin janë të kota, por Cipras tha se kërkesa për erga omnes përfshin domosdoshmërisht edhe ndryshime kushtetuese.

Qysh nga momenti i parë ju thamë pse hyni në këto negociata derisa nuk keni siguruar kushtin minimal për zgjidhje të përbashkët të pranueshme, e ky është ndryshimi i Kushtetutës. Fillimisht na përqeshët, por pastaj erdhët në linjën tonë. Për tani, të dalë Zaevi me guxim të madh të kërkojë ndryshim të Kushtetutës greke, si përgjigje të asaj që ne ju thamë – tha Kyriakos Micotakis, Demokracia e Re.

Ne kërkojmë zgjidhje për çështje kyçe, çështjet më të rëndësishme për emrin e vendit fqinj me dy parakushte themelore: emër i përbërë, erga omnes, ndërsa nuk mund të jetë erga omnes vetëm për përdorim të jashtëm, por edhe për të brendshëm, respektivisht ndryshim edhe të emrit kushtetues – u shpreh Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë.

Micotakis gjithashtu akuzoi kryeministrin grek për mos-informim dhe mos-përfshirje të opozitës në negociatat për emrin dhe theksoi se nuk është aspak serioze që për një çështje kaq të rëndësishme, dy partitë e koalicionit qeveritar të kenë qëndrime të kundërta. Një debat i ngjashëm në mediat greke u zhvillua edhe midis zv/ministrit të jashtëm, Jorgos Katrugallos dhe përgjegjësit për politikë të jashtme të partisë opozitare, Jorgos Kumucakos. Katrugallos me këtë rast shprehu optimizëm për zgjidhjen e çështjes për shkak të progresit të arritur në negociata, ndërsa Kumucakos tha se nga takimi i fundit me shefin i diplomacisë së Shkupit ka përshtypje se “punët janë shumë më të rënduara sesa që ishin në fillim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat