Junker të dielën në Maqedoni, takon udhëheqësit e shtetit

Maqedonia

Junker të dielën në Maqedoni, takon udhëheqësit e shtetit

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 10:43
Zhan Klod Junker

Kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker turneun e tij në Ballkan do ta fillojë të dielën më 25 shkurt me vizitën në Maqedoni, në suaza të së cilës më 1 mars do t'i vizitojë të gjitha gjashtë vendet nga Ballkani Perëndimor.

Kryetarin Junker do shoqërojnë përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e BE-së Federika Mogerini dhe komisari për Zgjerim Johanes Han. Në Maqedoni tani për tani janë konfirmuar takime me Kryeministrin Zoran Zaev dhe me Presidentin Gjorge Ivanov, por nuk përjashtohen takime shtesë.
 
Junker dhe Zaev duhet të mbajnë konferencë të përbashkët për media, konfirmojnë nga Komisioni Evropian.
 
Në Komisionin Evropian refuzojnë tani për tani të hyjnë në hollësi rreth porosive të cilat do t'i transmetohen lidershipit të Maqedonisë, posaçërisht në lidhje me çështjen e emrit, për të cilën presion vjen edhe nga Gjermania.
 
Pas takimit me Zaevin paraprakisht gjatë kësaj jave, Merkeli sot në margjina të samitit evropian në Bruksel duhet të takohet edhe me homologun e saj grek, Aleksis Cipras. Qëndrimi i Komisionit Evropian rreth çështjes së emrit mbetet i njëjtë, ndërsa ai është se të dy palët duhet të gjejnë zgjidhje të pranueshme të përbashkët para se të fillojnë negociatat me BE-në.
 
Zëdhënësi i Zhan Klod Junkerit gazetarëve, dje shkurt iu përgjigj se vizita e ardhshme në rajon është pasqyrim i interesit të ripërtërirë dhe dinamikës të cilën KE-ja dëshiron ta vendos.
 
Turneun në Ballkanin Perëndimor, njeriu i parë i KE-së do ta përfundojë me vizitë në Bullgari, e cila për momentin udhëheq me Bashkimin Evropian. Junker në Sofje do të takohet me Presidentin Bojko Borisov dhe do të marr pjesë në drekën e përbashkët me të gjithë kryeministrat e vendeve nga rajoni.
 
Ballkani Perëndimor, një kohë të gjatë i lënë anash nga prioritetet e pushtetit ekzekutiv evropian sërish po bëhet temë e rëndësishme e bisedimeve në Bruksel. Në fillim të shkurtit Komisioni Evropian e publikoi strategjinë e re të tij për Ballkanin Perëndimor, e cila ka për qëllim ta konfirmojë besueshmërinë e perspektivës evropiane për vendet nga rajoni.
 
Më 17-të maj në Sofje do të mbahet edhe samiti evropian kushtuar rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat