Ku përfundojnë fondet për kulturë, flet Valmir Aziri

Maqedonia

Ku përfundojnë fondet për kulturë, flet Valmir Aziri

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 22:02
Valmir Aziri

Ministria e Kulturës distancohet nga të gjitha projektet që keqpërdorin fondet e saj, ose tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë, thotë Sekretari shtetëror i këtij dikasteri, Valmir Aziri. Megjithatë, ai shton se Ministria e Kulturës nuk paragjykon asnjë projekt dhe se për ato më të përfolurat si të padenja ose keqpërdoruese të fondeve publike, do të merret vendim në shkallën e dytë të vlerësimit të projekteve. I pyetur për fitimin e projekteve nga persona të punësuar brenda Ministrisë së Kulturës, Aziri tha se të drejtë ligjore për të konkurruar kanë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, e nëse konstatohen shkelje ose ndikime të mundshme në procesin e marrjes së fondeve, Aziri u zotua se Ministria e Kulturës do të ndërmarrë sanksione.

“Konflikti i interesit duhet të vërehet në procedurë. Nëse ne do të vërejmë që persona të caktuar në Ministrinë e Kulturës, të cilët janë të punësuar, kanë keqpërdorur pozitën e tyre, ne do të ndërmarrim të gjitha sanksionet që parasheh ligji”, u shpreh Valmir Aziri, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Kulturës.

Aziri gjithashtu i quajti të rrezikshme tendencat që sipas tij i njollosin shoqatat dhe artistët shqiptarë si të padenjë për të marrë mjete nga Ministria e Kulturës. Për këtë Aziri kërkon durim dhe maturi. Kjo sepse 2018-ta, tha ai, është vit historik për shqiptarët në kulturë, për shkak të shënimit të disa përvjetorëve që lidhen me historinë shqiptare. Për këtë, Ministria e Kulturës ka ndarë 38% nga buxheti i saj, shtoi Aziri. Ai gjithashtu përmendi se këtë vit, Ministria e Kulturës do të formojë Ansamblin dhe operan e parë shqiptare. Sipas tij, këto janë çështjet e mëdha për të cilat duhet të flitet dhe jo për 2-3 projekte në veçanti.

“Ne duhet të flasim për këto projekte. Nga 600 projektet shqiptare të cilat janë pranuar në Ministrinë Kulturës, tani nëse 2-3 projekteve do t’u japim aq rëndësi  për të damkosur a njollosur gjithë këtë proces, unë mendoj që nuk është fer dhe nuk është rruga që ne duhet të trajtojmë kulturën shqiptare”, shtoi Aziri.

Projektet më të përfolura deri më tani janë ato të shoqatës “Ble-And” dhe “Lidhjes së artistëve shqiptarë – ART” e cila ka fituar tre projekte të ndryshme. Ditë më parë, i pyetur për çështjen në Televizionin “Telma”, ministri i Kulturës Robert Allagjozovski e hodhi topin tek  komisionet në ministrinë e tij për kriteret e financimit të projekteve.

“Kjo është në kompetencat e komisionit, e cila me vendimin e saj garanton këtë. Në këtë kuptim, bëhet fjalë për projekte dhe supozoj se këto janë projekte të lloj-llojshme dhe se përfshijnë autorë të ndryshëm. Shoqata ka të drejtë të dorëzojë aplikime të panumërta dhe të njëjtat t’i pranohen”, tha Robert Allagjozovski, Ministër i Kulturës.

Çështja e financimit të projekteve hapi debat të madh pas publikimit të të njëjtave nga Ministria e Kulturës. Disa prej tyre janë parë si më të favorizuara nga Ministria për shkak të ndikimeve, e disa të tjera kanë përfituar mjete simbolike ndonëse kanë traditë dhe përvojë më të madhe në aktivitetin e tyre kulturor-artistik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat